Dokumente konfidenciale që kanë të bëjnë me rastin “Monstra” dhe rastin e Kumanovës janë gjetur gjatë bastisjes së shtëpisë së deputetes së LSDM-së, Frosina Remenski, e cila është në mesin e të dyshuarëve në rastin “Reket”, shkruan portali MKD. Prokuroria ka konfirmuar informacionet, por duke mos dhënë detaje.
Remenski është e dyshuar në rastin “Reket”, pasi që ajo ishte kryetare nderi e organizatës joqeveritare “Lidhja Ndërkombëtare” të Bojan Jovanovskit – Boki. Prokuroria në përgjigjen e saj ka thënë se gjatë bastisjes së shtëpisë së të dyshuares janë gjetur dokumente dhe se për këtë janë njoftuar institucionet përgjegjëse, se nga kanë dalur ato dosje. Megjithatë Prokuroria përgënjeshtron dhe nuk di se a bëhet fjalë për dokumente për rastin “Monstra” dhe rastin e Kumanovës të 9 majit të 2015. Sipas portalit MKD, bashkëshorti i deputetes Remenski, Jovçe Remenski deri pak muaj më parë ishte ndihmës drejtor në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim.