Fiks Fare transmetoi mbrëmjen e të hënës një skandal që ndodh në shtëpinë e të moshuarve në Fier, ku punonjës të saj vjedhin ushqimet e të moshuarve. Ndërsa të moshuarit përballen me mungesën e ushqimit, dritave dhe ujit. Ditën e sotme ka ardhur reagimi i Bashkisë së Fierit që ka bërë të ditur se është pezulluar nga detyra Inxhile Lera, kuzhiniere pranë “Shtëpisë së Moshuarve” dhe Luiza Braja, pjatalarëse. Ndërkohë ka nisur puna për zgjidhjen e kontratës së punës.
Ndër të tjera sqaron se nga pikëpamje financiare dhe organizative, shtëpia e të Moshuarve Fier nuk varet nga Bashkia Fier,ndërsa i është propozuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Social të marrë masat përkatëse për drejtoreshën e “Shtëpisë së Moshuarve”, Daniela Hasimaj dhe përgjegjësen Mirjana Gjermeni.