Një burrë në Llaushë të Skenderajt dyshohet se ka vrarë gruan e tij me armë zjarri mbrëmjen e së mërkures.
Pas këtij rasti, Organizata Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist në muret e policisë dhe në hapësira të tjera publike në Skenderaj ka shënuar grafite, transmeton Klankosova.tv.
“Pas dhunës sistematike të ushtruar ndaj viktimës, për të cilën policia ishte në dijeni, S.Q. ia mori jetën L.Q. Vrasja e L.Q. mund të ishte e parandalueshme. E ndjera e kishte raportuar dhunën e bashkëshortit në stacionin policor në Skenderaj, por përkundër kësaj, vrasësi u la i lirë disa orë pas raportimit dhe marrjes në pyetje. Kjo në vazhdën e neglizhimit institucional të sigurisë së grave e shtypjes sistematike që shteti ua bën atyre,” shkruante në një postim në Facebook të organizatës.
Tutje thuhej se sikur policia të intervenonte drejt e të gjitha hallkat tjera shtetërore, siç u tha, të mos dështonin në mbrojtjen e grave, drejtësia për L.Q. do të mund të arrihej sa ishte ajo gjallë.
“Në këto kushte tmerri e frike, ne gishtin e drejtojmë drejt institucioneve, të cilat, të sunduara nga mendësia patriarkale, po i vrasin gratë. Grafitet e sotme në qytetin e Skenderajt, nga muret e policisë e te hapësirat tjera publike, përveç që denoncojnë fajtorët, janë edhe thirrje për revoltë kundër patriarkalizmit të institucionalizuar, që nga familja e në polici e gjykata, që po ua merr jetën grave.”