Izraeli ka thënë se bombardimi i një ndërtese në Gaza ku gjendeshin zyrat e medieve ndërkombëtare është bërë, pasi objekti po përdorej nga militantët e Hamasit, për të bllokuar sistemin e mbrojtjes raketore izraelite.
Në ndërtesën e quajtur Jala gjendeshin edhe zyrat e mediave Associated Press (AP) dhe Al Jazeera.
Ambasadori i Izraelit në Shtetet e Bashkuara, Gilad Erdan, u takua me shefin e agjencisë së lajmeve AP, Gary Pruitt, për t’ia shpjeguar arsyet e sulmit.
Erdan u tha drejtuesve të agjencisë amerikane të lajmeve se ndërtesa po përdorej nga Hamasi për të zhvilluar një sistem elektronik për bllokimin e sistemit izraelit të mbrojtjes raketore i njohur si “Kupola e Hekurt”.
Gjatë konfliktit më shumë se 3.000 raketa u shkrepën në Izrael nga Gaza dhe ky sistem i mbrojtjes kishte parandaluar 90% të tyre, raporton Associated Press, percjell Foldrejt.com