Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka njoftuar se në kuadër të hetimeve për sulmin e 24-shtatorit në Banjskë të Zveçanit, është gjetur dokumenti personal dhe vetura e Milorad Jevtiqit.
Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se Jevtiq njihet si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Danilo Vuçiqit, djalit të presidentit serb.
“Në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur sulmi, njësitet policore kanë gjetur dokumentin personal dhe veturën e Milorad Jevtiq gjë që dëshmon se ai ka qenë në njësitin që kanë sulmuar Policinë e Kosovës. Terroristi Milorad Jevtiq njihet si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Danilo Vuçiq, djalit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq”, ka shkruar ai.
Sipas Sveçlës, nga 5 vizitat e fundit të djalit të Vuçiqit në Kosovë, katër herë ata kanë qenë bashkë në të njëjtën veturë.
“Milorad Jevtiq është identifikuar edhe si njëri ndër sulmuesit e ushtarëve të KFOR-it më 29 maj në Zveçan. Mbetet që organet e sigurisë dhe hetimet të zbulojnë se përveç Vuçiqit dhe strukturave të larta shtetërore serbe, a ka qenë edhe djali i tij në planifikimin dhe organizimin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit”, ka shkruar ministri Sveçla.