Në një sulm të ri natën në Kiev, dy fëmijë dhe një i rritur u vranë dhe më shumë se një duzinë u plagosën, sipas zyrtarëve ukrainas. Sulmet e fundit ndodhën në rrethet lindore të Desnyanskyi dhe Dniprovskyi, transmeton Klix, përcjell Fol Drejt.
Një nga fëmijët e vrarë ishte midis pesë dhe gjashtë vjeç, ndërsa tjetri ishte 13 vjeç, shkroi administrata ushtarake e qytetit të Kievit në Telegram. Fëmijët ndodheshin në lagjen Desnyanskyi në momentin e sulmit.
Ky ishte sulmi i katërt këtë javë dhe vjen pas 17 sulmeve në kryeqytetin e Ukrainës gjatë gjithë majit.
Në postimet e shumta në Telegram herët në mëngjes, kryebashkiaku i Kievit, Vitaliy Klitschko tha se një “seri shpërthimesh” kishin ndodhur në qytet. Ai tha se janë lënduar 14 persona, nëntë prej të cilëve janë dërguar në spital.
Në javët e fundit, Rusia ka përdorur drone kamikaze, si dhe një sërë raketash lundrimi dhe balistike për të sulmuar objektivat në Ukrainë.
Analistët besojnë se Moska po përpiqet të dëmtojë mbrojtjen e Ukrainës përpara një kundërofensivë të shumëpritur, të cilën qeveria ukrainase e ka planifikuar prej muajsh. /FolDrejt/