Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, do të marrë pjesë në takimin që është ftuar nga Gabriel Escobar, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor.
KlanKosova.tv ka mësuar se ky takim do të mbahet nesër, në rezidencën e ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier. Escobar ka ftuar edhe kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, për takim.
Gabriel Escobar edhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë.
Bashkimi Europian ka konfirmuar për Klankosova.tv, vizitën në Kosovë, të përfaqësuesit special të BE-së Miroslav Lajçak.
Në përgjigjen e dhënë nga zyrtarja për shtyp e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Paloma Hall Cabalerol, thuhet se këtë vizitë të Lajçak në Kosovë por edhe në Serbi, e kërkoi përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell.
Në takimin e fundit të nivelit të lartë në Bruksel, që është mbajtur më 18 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk kanë arritur marrëveshje për këto çështje, njofton KlanKosova.tv.