Në tërmetet e mbrëmshme në Turqi dhe Siri, kanë humbur jetën të paktën 11 persona, raportojnë sot mediat lokale, ndërsa priten të dhënat zyrtare për numrin e viktimave.
Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën dhe rreth 300 janë lënduar në dy tërmete në juglindje të Turqisë, raporton sot gazeta turke Hurriyet. Sipas asaj gazete, të paktën 294 persona janë lënduar, 18 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë.
Autoriteti i Emergjencave dhe Fatkeqësive Natyrore të Turqisë tha se tërmetet me magnitudë 6.4 dhe 5.8 ballë të shkallës Rihter goditën mbrëmë provincën Hatay dhe u pasuan nga të paktën 32 pasgoditje. Lëkundjet u ndjenë edhe në Siri, Qipro, Greqi, Egjipt, Izrael dhe Liban.
Tërmeti i djeshëm në Siri vrau pesë persona në disa qytete, njoftuan stacionet televizive arabe. Siç thuhet nga Al Arabiya, katër persona humbën jetën dje në Siri në një rrëmujë të shkaktuar nga paniku i shkaktuar nga tërmeti në qytetet Alepo dhe Tartus dhe një tjetër grua humbi jetën në Latakia, sipas Sky News Arabia.
Disa njerëz gjithashtu kishin sulme në zemër. Sky News Arabia raporton se njerëzit u hodhën nga dritaret nga frika se mos mbetëshin nën rrënoja.
Deri më tani mediat po raportojnë ndryshe për numrin e të lënduarve nga tërmeti i djeshëm në Siri. Sky News raporton se më shumë se 100 persona janë plagosur në Latakia dhe Al Hadat TV raporton se 470 persona janë plagosur në të gjithë Sirinë, duke përfshirë zonat e kontrolluara nga opozita.
Sipas sizmologëve, ishte një pasgoditje pas tërmetit shkatërrues të 6 shkurtit në të cilin humbën jetën më shumë se 47,000 njerëz në Siri dhe Turqi. /FolDrejt/