Transporti publik në Tetovë nga dita e sotme nuk është në funksion. Arsyeja e ndërprerjes së katër linjave, sipas drejtuesve të Ndërmarrjes së transportit në këtë qytet, ka të bëj me ndërprerjen e furnizimit me karburant nga pompa e benzinës. Sipas informatave të Alsat ndërprerja e furnizimit me karburant, ka ardhur si pasojë e borxhit të gjeneruar për disa muaj nga komuna e Tetovës që nuk është shlyer në kohë.
“Ndërmarrja transportuese, naftën deri të hënën e ka shfrytëzuar nga një pompë benzine e cila, nga e hëna ka ndërprerë furnizimin me naftë pa dhënë ndonjë sqarim. Pas këtij rasti, kërkova nga vozitësit që të ndërpresin dy prej linjave për jashtë Tetovës me qëllim që të kursejmë naftën dhe kemi funksionuar me vetëm linjën e qytetit, e cila, nga dita e sotme, u ndërpre edhe ajo, shkaku se autobusët nuk kanë naftë. Për situatën e krijuar njoftova organet komunale, me të cilët presim takim për zgjidhjen e ngërçit”, deklaroi Darko Spiroski, drejtor i ndërmarrjes për transport “Tetova Transport.
Transporti publik në Tetovë nuk do të funksionojë deri në gjetjen e një pike karburanti, me të cilën do lidhet marrëveshja për furnizime me karburant deri në janar të vitit të ardhshëm, kur edhe ndërmarrja, do të mund të gjenerojë buxhetin e saj, që të mund të hap tender për furnizim nga fonde të veta.Raporton Alsat.mk percjell Foldrejt.com