Qendra Amerikane e Solidaritetit me seli në Tiranë po vazhdon me aktivitetet për të forcuar bashkëpunimin e SBASHK-ut, Sindikatave të Arsimit të Shqipërisë e të Maqedonisë së Veriut me Sindikatën e Mësuesve të Amerikës.
Në kuadër të këtij angazhimi, drejtori i kësaj zyre Steven McCloud me bashkëpunëtorët kanë organizuar për tri ditë me radhë Konferencën rajonale me përfaqësues të këtyre sindikatave. Zëvendës presidenti i Federatës Amerikane të Mësuesve Dan Montgomery bashkë me drejtorin e kësaj Federate për rajonin perëndimor Ramiro Hernandez duke dhënë kontribut në rrjedhën e kësaj Konference janë shprehur se nga afër përcjellin angazhimet e shumta të sindikatave të këtyre tri shteteve të Ballkanit duke rikujtuar për mbështetjen e vazhdueshme të Sindikatës së Mësuesve të Amerikës për SBASHK-un dhe sindikatat e arsimit të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut me qëllim të përballjes më të lehtë me sfidat e shumta të kohës.
Ata kanë sjellë përvojat e tyre nga mënyra e organizimit dhe e zhvillimit të aktiviteteve e veprimeve sindikale të sindikatës që ata përfaqësojnë. Zëvendës presidenti i Federatës Amerikane të Mësuesve Dan Montgomery ka treguar se ata kanë përcjell me kujdes edhe angazhimet e shumta të SBASHK-ut dhe kanë shprehur solidaritet e përkrahje të fuqishme për SBASHK-un gjatë gjithë këtyre viteve e në veçanti në kohën sa po ndodhte greva e vitit të kaluar. Përfaqësuesit e sindikatave të arsimit nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut duke marrë pjesë në panele kanë sjellë fakte e argumente për gjendjen aktuale në arsimin e shteteve të punës, për kushtet e punës në institucionet arsimore dhe për sfidat e shumta me të cilat po përballën në kuadër të angazhimeve për realizimin e kërkesave të anëtarësisë në dialog me institucionet shtetërore, dialog ky i munguar dhe jo i lehtë.
Zëvendës presidenti i Federatës Amerikane të Mësuesve Dan Montgomery bashkë me drejtorin e kësaj Federate për rajonin perëndimor Ramiro Hernandez për të dëshmuar miqësinë e sinqertë, që ka nismat në vitet e 90-ta, mes Sindikatës së Mësuesve të Amerikës dhe SBASHK-ut do të vizitojnë Kosovën më 7 e 8 qershor për të realizuar një agjendë të ngjeshur të takimeve me Ministren Nagavci, anëtarë të Komisionit Parlamentar për Arsim, me kryetarët dhe drejtorët e arsimit në Ferizaj e Prizren dhe me përfaqësues të SBASHK-ut të nivelit lokal e qendror. Në mbyllje të takimeve të ditës së parë të kësaj vizite mysafirët e lartë nga Sindikata e Mësuesve të Amerikës bashkë me përfaqësues të SBASHK-ut do të mbajnë konferencë për mediet. /FolDrejt/