Kombet e Bashkuara (OKB) njoftuan se si pasojë e ofensivës ruse të paktën 780 civilë kanë humbur jetën në luftën Rusi-Ukrainë dhe 1.252 të tjerë janë plagosur, ndërsa 3.169.897 refugjatë kanë kaluar në vendet fqinje.
Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët (UNHCR) ndau të dhëna të ndryshme lidhur me krizën e refugjatëve në Ukrainë.
Sipas UNHCR-së, që nga data 24 shkurt deri më 16 mars gjithsej 3.169.897 refugjatë kaluan nga Ukraina në vendet fqinje, prej të cilëve më shumë se gjysma e tyre në Poloni.
Vendet fqinje ku ukrainasit kanë kaluar më shumë janë Polonia (1.916.445), Rumania (491.409) dhe Moldavia (350.886), shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në njoftimin e UNHCR-së po ashtu thuhet se se për periudhën 18-23 shkurt nga rajonet Donetsk dhe Luhansk kanë kaluar në Rusi 50 mijë njerëz.
Raportohet se qindra mijëra refugjatë që kalojnë nga Ukraina në vendet fqinje shpërndahen më pas në vendet e tjera të Evropës.
Sipas të dhënave të UNHCR-së, të paktën 780 civilë kanë humbur jetën dhe 1.252 të tjerë janë plagosur në luftën Rusi-Ukrainë gjatë periudhës 24 shkurt – 16 mars.
Në njoftim paralajmërohet se numri i civilëve të vdekur dhe të plagosur mund të jetë shumë më i lartë se numri i përcaktuar.
OKB thekson vetëm shifrat që mund të konfirmojë në lidhje me viktimat civile në Ukrainë. Sipas autoriteteve ukrainase, numri i civilëve që kanë humbur jetën është në mijëra.