Festa e “Bajramit të Kurbanit” është njëra ndër dy festat më të mëdha fetare që kremtohet nga muslimanët. Ajo ndërlidhet me një akt flijimi të një kurbani për hir të Zotit. Kështu të paktën rrëfehet në librin e shenjtë, shkruan Fol Drejt.
Por ku e ka gjenezën, ç’histori të lashtë ka kjo festë?
Historia e festës ndërlidhet me emrin e profetit Ibrahim (a.s). Rrëfimet nga libri i shenjtë Kurani, na thonë se ai ishte i gatshëm ta flijonte birin e tij për Zotin. Meqë ai në këtë rast e manifestoi bindjen e tij të palëkundur, Zoti e urdhëroi Xhibrilin t’ia dërgonte dy desh, për t’ia zëvendësuar të birin. Kështu Ibrahimit (a.s), iu vlerësua gatishmëria dhe qëllimi i tij i lartë. Ndaj në Kur-an thuhet: “Tek All-llahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por te Ai arrin bindja juaj.” (Haxh 37)
Festa po ashtu ndërlidhet edhe me periudhën kur duhet përmbushur njërën prej shtyllave të fesë: haxhin! Haxhi në të vërtetë është vizita e vendit të shenjtë Mekës, e cila ndërlidhet me një periudhë të caktuar të vitit, sipas kalendarit islamik – hixhri. Më saktësisht, ajo i bie në ditën e 10-të të muajit Dhulhixhxhe dhe zgjat për katër ditë.
Festa në tradita shqiptare
Padyshim që kjo festë tashmë ka krijuar një traditë në kulturën shqiptare. Në familjet shqiptare, atmosfera e festës ndihet një ditë përpara, gatimi i ëmbëlsirave të veçanta: bakllavasë, hallvës, ëmbëlsirave të ndryshme, përbëjnë ritualin e zakonshëm që i paraprijnë festës. Dita e festës, ndërkaq fillon herët, që në agim. Kur muslimanët shkojnë në xhami për ta falur sabahun, e për t’i dëgjuar ligjëratat, këndimet e kuranit, dhe ilahitë përpara namazit të bajramit. Pas mbajtjes së hydbes, imamët nëpër xhamitë e ndryshme të Kosovës, e shpallin festën edhe zyrtarisht, ndaj aty fillojnë edhe urimet.
Therja e kurbaneve dhe shpërndarja e mishit për të varfrit, përbënë dimensionin social të festës. Solidarizimi me skamnorët, konsiderohet qenësor në këtë festë.
Në Kosovë, shpërndarja e mishit të kurbaneve dhe ndihmave të tjera për të varfrit, bëhet edhe në mënyrë të organizuar.
Po ashtu, vizitat te të afërmit dhe shkëmbimi i urimeve, është bërë pjesë e kulturës.
Një atmosferë e tillë ka filluar të ndihet edhe sot në vigjilje të festës. Në familje tona, në rrugët e fshatrave, në sokakët e qyteteve, në tregje dhe kudo, një festë e tillë po na troket…/FolDrejt.com/