Liridon Restelica është shkarkuar nga pozita e kryeshefit ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike Lokale “Prishtina Parking”.
Këtë e bëri të ditur Përparim Rama, kryetari i Komunës së Prishtinës, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook.
“Në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot, Bordi i Drejtorëve të NPL ‘Prishtina Parking’ ka konstatuar se veprimet e kryeshefit ekzekutiv, duke përfshirë këtu keqpërdorimin e pozitës, mosinformimin e bordit në lidhje me planet dhe projektet investuese të ndërmarrjes e deri tek mospërfillja e Bordit të Drejtorëve, kanë shkaktuar keqmenaxhim të përgjithshëm të ndërmarrjes dhe kanë cenuar imazhin e NPL ‘Prishtina Parking’”.
Rama ka shtuar se vendimi për shkarkimin nga pozita e kryeshefit ekzekutiv hyn në fuqi sot, transmeton KlanKosova.tv.