Policia ka bërë të ditur se ka finalizuar operacionin “Rrugëtimi”, i shtrirë në 3 qarqe, Kukës, Durrës dhe Dibër.
Në sajë të këtij operacioni janë vënë në pranga 6 persona, pasi janë kapur me armë zjarri dhe municione, të cilat sipas policisë, do t’i trafikonin në Kosovë.
“Në kuadër të këtij operacioni të shtrirë në 3 qarqe, Kukës, Durrës dhe Dibër, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, u arrestuan në flagrancë shtetasit: Rr. S, 28 vjeç, banues në Dibër; B. SH., 24 vjeç, banues në Bulqizë, B. N., 33 vjeç, banues në Durrës; U. H., 27 vjeç, banues në Dibër; H. H., 59 vjeç, banues në Durrës, dhe K. B., 61 vjeç, banues në Fushë-Krujë, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
“Këta shtetas u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në ambientet e jashtme të një pike karburanti, me 1 armë zjarri automatik, 1 armë zjarri pistoletë tip “Glock”, sasi municioni luftarak, si dhe me shuma prej 222 mijë lekësh dhe 710 eurosh, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, njofton policia.