Kolona të gjata të refugjatëve për të marrë udhën për në Shqipëri u ndalën në një pikë kontrolli në fshatin Meje, i shtrirë disa kilometra në veriperëndim të qytetit të Gjakovës.
Kujtesa Delija, Bubulina Peni dhe Ilirjana Hoti*
Sot, “Lëndina e Pikëllimit” mban 376 shqiptarë të Kosovës, të cilët u ekzekutuan nga forcat serbe.
Me datat 27 dhe 28 prill është zhvilluar operacioni “Reka”, ku pjesëtarët e forcave serbe dëbuan banorët e fshatrave përreth, duke djegur shtëpitë e torturuar banorët. Ata ndan në grupe burra dhe djem, të cilët u qëlluan për vdekje.
Fshatarët e nisur me traktorë u ndalën në Mejë, gratë dhe fëmijët, të kërcenuar për t`iu dhënë para dhe sende me vlerë, u detyruan të tregojnë se ku i kishin fshehur.
Lirim Delija ishte vetëm gjashtë vjeç, kur kishte parë me sy duke ia marrë babanë, Deli Deliun, dhe kishte bërë përpjekje që ndoshta në këmbim të parave ta shpëtonte.
“Na kërkonin para dhe unë kam treguar ku i kishte fshehur gjyshja, me qëllim që ta lironin babin”, shprehet djali i martirit.
Dëshmitarë të kësaj ngjarjeje makabre janë edhe shumë nëna, gra, motra dhe fëmijë pasi që edhe Alma Zyberi kujton atë periudhë të trishtë, kur i kishte humbur katër anëtarë të familjes së ngushtë.
Ajo tregon se periudha më e vështirë ishte kur për katër vjet, vëllai i saj, Arber Zyberi, konsiderohej i zhdukur dhe dhimbja ishte shumë më e madhe.
“Dhimbja dhe ankthi më i madh për ne ka qenë periudha kur vëllai konsiderohej i zhdukur, periudhë kjo që ka zgjatur nga prilli i vitit 1999 deri në muajn maj të vitit 2003, kur edhe u identifikua kufoma e tij në mesin e 29 të tjerave, që ishin kufomat e para të identifikuara nga masakra e Mejes”, tha Alma Zyberi, ish-arsimtare e gjuhës shqipe.
Tutje, ajo tregon se pas babait të saj, që i përgatiste recitalet në çdo përvjetor dhe i organizonte me nxënësit e shkollës “Jahë Salihu” në Molliq, ku punonte si mësimdhënës i gjuhës shqipe, ka filluar ajo t`i shkruajë me nxënësit e saj për vite me radhë, ku të fundit e ka shkruar nga mërgimi në vitin 2018, që ish-nxënësit e saj ta prezantonin më 27 prill.
“Në këtë recital, më shumë sesa dhimbje, kishte nota kritike për pushtetarët, të cilët nuk i kishin mbajtur premtimet që i kishin bërë në çdo përvjetor kinse do t’i rregullonin varrezat, premtime që s’i mbajtën kurrë. Recitali ishte një trokitje në ndërgjegjen e tyre, sepse pas pak kohësh u mor iniciativa për rregullimin e varrezave, edhe pse me hapa të ngadalshëm”, vijon tutje Zyberi.
Nxënësja Vlona Tahiri, që në vitin 2018 ishte përzgjedhur për të recituar, tregon se sa emocione të forta zihen brenda vetes kur je përballë atyre familjeve.
“Vet fakti që do të dalësh para një turme dhe do të recitosh diçka që do ta prekë ndërgjegjen e secilit është një përgjegjësi. Kanë qenë emocione të mëdha dhe frikë nëse do të shkojë gjithçka mirë. Është një dhimbje të dishë se çdo rresht që thua është realitet i secilit që gjendet aty dhe dëgjon çdo fjalë tënden me vemendje”, tha ajo.
Gjithashtu, edhe babai i Almës, Dervish Selimi, tregon për atë periudhë të vështirë, kur kishte qenë në Shqipëri me një pjesë të familjes, të cilët nuk ishin në dijeni se çfarë po ndodhte.
“Ishim të informuar vetëm nga ajo se çfarë po tregohej në radio, ku thuhej se ishte bërë një masakër në vendin Majë, mirëpo nuk kishte qenë Maja që tregohej, por Meja e Gjakovës. Unë dhe disa shokë mblodhëm disa shënime në Durrës dhe Tiranë të atyre njerëzve që ishin ndalë në Meje dhe ia dërguam Kryqit të Kuq zviceran, shënime të cilat më vonë u konstatuan të sakta”, thuhet në përgjigjen e tij.
Ai tregon se ato që përjetuan ishin gjëra të tmerrshme, e veçanërisht periudha kur ishin kthyer nga Shqipëria.
“Fshati, kur unë kam ardh prej Shqipërisë, më 29 qershor 1999, ka qenë i boshatisur, të gjitha shtëpitë kanë qenë të djegura e të plaçkitura, të cilat forcat serbe i kishin djegur një ditë pas ultimatumit të NATO-s”, shkruan ai tutje.
Shumë familje i humbën më të dashurit e tyre në këtë masakër. Disa nga familjet e tilla janë: Zyberi, Pajaziti, Avdyli, Beqaj, Hoxha, Hasanaj, Dedaj, Imeri, Deliu, Mehmeti, Kuqi, Rexha, Rama, Ndrejaj, Tahiraj etj.
Aferdita Zyberi, 19 vjeçare në atë kohë, tregon për përjetimet e saj gjatë 27 prillit, dita kur ajo i pa për herë të fundit babanë, vëllanë dhe kushërirët e saj.
“Ishte mëngjes, përafërsisht ora nëntë, kur ushtria serbe kishin hyrë në fshatin Dobrosh dhe kishin dhënë urdhër që brenda një ore të zbrazeshin të gjitha shtëpitë, lajm të cilin na e tregoi babai im i ndjerë, Beqir Zyberi”, shprehet ajo.
Aferdita tregon çdo detaj të atyre ditëve të frikës dhe dhimbjes. Që nga momenti kur i kishin dëbuar me 25 mars nga shtëpia në Molliq, kur u detyruan të qëndronin tek tezja e saj në Dobrosh (familja Sadrija) dhe të gjithë rrugën, deri në ndalesën në fshatin Meje. Tym dhe flakë ishte ajo se çka i kishte kapluar fshatrat në atë ditë.
“Kur arritëm në fshatin Meje, aty filluan t’i ndanin të gjithë burrat dhe djemtë, përafërsisht nga mosha 15-70 vjeç. Së pari e zbritën nga traktori djalin e axhës, Gani Zyberin, dhe i thanë babait që të largohej nga rruga. Ai nuk pranoi. “Pa m’i leshu djemtë nuk shkoj askund” iu tha babai, të cilin më pas e morën së bashku edhe me burrat e tjerë, duke përfshirë vëllanë Skenderin si dhe djalin e agjës Arberin”, shtoi Aferdita.
Mënyra e vrasjes së 376 civilëve nuk është e njohur plotësisht, por në bazë të dokumenteve është e theksuar goditja në kokë, por nuk ka asnjë të mbijetuar, të cilët do të dëshmonin për të. Ky krim është një nga krimet e rralla masive në Kosovë.
Arsimtari i historisë në shkollën “Jahë Salihu” në Molliq përmes një përgjigje me shkrim tregon se ajo ditë ka qenë plan nga serbët për t`u hakmarrë ndaj forcave të UÇK-së, që i kishin vrarë 4 policë serbë.
“Atë ditë çdo gjë ka qenë e planifikuar nga regjimi serb i Milloshoviqit, ku sipas dëshmitarëve okularë, forcat serbe kishin ndjekur rrugën e forcave naziste në Luftën e II-të Botërore për t`u hakmarrë për një ushtar serbë me 100 civilë shqiptarë, ku edhe ashtu ndodhi, sepse ditë me parë forcat e UÇK-së kishin vrarë katër paramilitarë serbë, të cilët kishin ushtruar dhunë kundër popullsisë civile. Mbi 370 civilë të fshatrave të Lumit të Qetë (Rekës së Keqe) u bënë kurban për ta mbrojtur popullsinë civile të pambrojtur”, shkruhet në përgjigjen e marrë nga Përparim Zyberi.
Edhe sipas tij, sa i përket rregullimit të memorialit të Mejës, shumë qeveri, përkundër premtimeve nëpër fushata zgjedhore, kanë ngurruar për të bërë diçka, që shpeshherë i ka irrituar familjarët. Kohëve të fundit janë marrë hapa konkretë për ndërtimin e këtij memoriali, edhe pse ende nuk ka përfunduar në tërësi.
Lidhur më këtë çështje, për gjendjen e Kompleksit Memorial dhe zvarritjen e punimeve, në një përgjigje të marrë me shkrim nga kryetari i OJQ-së “27 prilli 1999-Meje”, ai ka treguar se familjarët nuk janë aspak të kënaqur me rezultatet e punimeve.
“Vonesa dhe stagnimi i punimeve kanë qenë shqetësuese për familjarët e viktimave. Ato as sot akoma nuk kanë përfunduar të gjitha, ndërsa pjesa e varrezave është e përfunduar me shumë vërejtje”, ka shkruar Haki Sadrija, kryetar i OJQ-së.
Sa u përket punimeve dhe investimeve në projekt, drejtori i Agjencionit për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj, tregon se faza e tretë e punimeve duhej të përfundonte në korrik, por për shkak të pandemisë COVID-19, punimet janë ndërprerë.
Ai gjithashtu tregon shumat e të gjitha investimeve që janë bërë.
“Kompleksi Memorial “27 Prilli” në Meje ka filluar si projekt i komunës së Gjakovës, e cila i ka investuar në fazën e parë rreth 350,000 euro, fazën e dytë e kemi vazhduar ne si agjenci dhe i kemi rregulluar varrezat në vlerë prej rreth 400.000 euro, pastaj e kemi zhvilluar fazën e tretë në ndërtimin e Muzeut dhe Amfiteatrit në vlerë prej 344.000 euro, që do të duhej të përfundojë deri në muajin korrik, por për shkak të pandemisë, punimet janë nderprerë”, thuhet në e-mail, dërguar nga Bislim Zogaj, kryetar i AMKMK-së.
Po ashtu, thuhet se në hapësirat e varrezave, me pëlqimin e familjarëve, janë rezervuar edhe hapësira për varrezat e 28 personave ende të pagjetur.
Pas përfundimit të ndërtimit të projektit (nga viti 2021), Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës do të bëjë mirmbajtjen e këtij kompleksi.
Duda Balje, kryetare e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione tregon se institucionet kanë bërë përpjekje për të kontribuar në gjendjen e të zhdukurve.
“Përpjekjet e institucioneve kanë qenë të vazhdueshme, por çështja e të pagjeturve ka të bëjë se vet Serbia kurrë nuk e ka pranuar që i ka kryer këto masakra dhe si rrjedhojë edhe bashkëpunimi i Serbisë në këtë drejtim asnjëherë nuk ka qenë serioz dhe nuk ka qenë e gatshme të marrë përgjegjësinë”, ka shkruar Balje.
Familjarët e viktimave dhe të të zhdukurve civilë janë ata që duhet të gëzojnë të drejtën për të marrë pensionet që u takojnë. Duke u bazuar në Statistikat e Mirëqenies Sociale, shuma e pensionit është rreth 170 euro.
Pavarësisht faktit se çdo përvjetor e gjen Mejën dhe familjarët e viktimave nën dhimbjen për më të dashurit e tyre, ky vit e rëndon edhe më tepër situatën, duke i penguar ata që t’i përkujtojnë dhe respektojnë martirët ashtu siç e meritojnë për shkak të gjendjes së shkaktuar nga koronavirusi.
Ndoshta me lejen e Policisë së Kosovës, vizita tek varrezat në mënyrë individuale do të jetë e pranueshme.
*Kujtesa Delija, Bubulina Peni dhe Ilirjana Hoti janë studente të Degës së Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.