Ministri për Komunitet dhe Kthim në Qeverinë e Republikës së Kosovës – Nenad Rashiq, ka thënë për një medium serb se autorët e sulmit në Banjskë, kanë kryer akt terrorist dhe se, veç organizatorëve, ata kanë qenë viktima të mashtrimit, transmeton Fol Drejt.
Rashiq ka folur edhe për çështje të tjera. Ndër të tjera ai e ka komentuar edhe vdekjen e Marti Ahtisaarit, duke e vlerësuar për kontributin e tij historik për Kosovën.
“Në atë mënyrë ai la gjurmë të pashlyeshme, veçanërisht standardin që kishte për qëllim mbrojtjen e joshqiptarëve”, citohet të ketë thënë Rashiq.
Duke folur për samitin në Tiranë, ai thotë se fokusi do të jetë nëse procesi i dialogut mund të vazhdojë.
“Mendimi im është se Kosova do të mbetet e vendosur në pozicionin e mos negociatave të mëtejshme nëse nuk sanksionohen ata që shkaktuan incidentin e 24 shtatorit. Ajo barrë e përgjegjësisë, topi është në fushën e Beogradit, në këtë rast të presidentit Aleksandër Vuçiq, për të marrë masa ndaj atyre që shkaktuan tërmetin që sigurisht ndryshoi marrëdhëniet ndaj BE-së dhe ndaj nesh.”
Ai është pyetur nëse rasti i Banjksës është apo jo, akt terrorist:
“Unë thashë në ditët e para, mendoj se akti si i tillë, i cili u krye, dukej absolutisht si terrorist, por ajo që çoi në të ishte se ata persona që ishin pjesë e sulmit, u mashtruan, u manipuluan dhe u bindën për disa nxitje, motive të tjera, gjë që na çojnë në rastin te përfundimi se organizatorët sigurisht kanë kryer një akt terrorist, por ata që kanë qenë pjesëmarrës, viktima të atij mashtrimi, natyrisht, nuk kanë qenë terroristë”, ka thënë Rashiq./FolDrejt/