Një nëndetëse me turistë, e cila shkoi në një turne në rrënojat e Titanikut, u zhduk në Oqeanin Atlantik. Kërkimet kanë nisur menjëherë, ndërsa në operacionin e shpëtimit janë përfshirë një numër i madh i ekipeve të shpëtimit, përcjell Fol Drejt.
Sipas BBC, Roja Bregdetare e Bostonit njoftoi se një operacion për gjetjen e nëndetëses është duke u zhvilluar. Për momentin, megjithatë, nuk dihet se sa persona ndodheshin në nëndetëse.
Ndryshe, nëndetëset e vogla marrin herë pas here turistë që paguajnë për të parë mbetjet e Titanikut.
Anija e famshme ndodhet në afro 3800 metra, në fund të Atlantikut dhe gjithashtu rreth 600 km nga bregu i Newfoundland në Kanada.
Anija e pasagjerëve, e cila ishte anija më e madhe e kohës së saj, goditi një ajsberg në udhëtimin e saj të parë nga Southampton në Nju Jork në vitin 1912. Nga 2200 pasagjerët dhe ekuipazhi në bord, më shumë se 1500 vdiqën.
Titaniku është hulumtuar gjerësisht që nga zbulimi i rrënojave në 1985. /FolDrejt/