Republika e Kosovës dhe Mali i Zi, nënshkruan gjatë ditës së sotme marrëveshjen dypalëshe për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA III, për vitet 2021-2027.
Marrëveshja, u nënshkrua nga zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi dhe ministrja për Çështje Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorçeviç.
Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se përmes kësaj marrëveshjeje, vendet tona do të përfitojnë përkrahje nga BE-ja për bashkëpunim ndërkufitar në shumën prej 8.4 milionë euro.
“Qëllimi i këtij programi është promovimi i fqinjësisë së mirë, nxitja e integrimit drejt Bashkimit Evropian, si dhe zhvillimi social, ekonomik dhe territorial i zonës ndërkufitare, diçka që ne si Qeveri i promovojmë, në vazhdimësi kur bëhet fjalë për bashkëpunimin me vendet fqinje” u shpreh zëvendëskryeministri.
Ai shtoi se në arritjen e këtyre objektivave fokusi dhe prioritetet tematike të përzgjedhura do të jenë në punësimin, lëvizshmërinë e fuqisë punëtore, përfshirjen sociale dhe kulturore, turizmi dhe trashëgimia kulturore dhe natyrore, dhe promovimi i qeverisjes lokale dhe rajonale.
Në përfundim, duke ritheksuar se kjo marrëveshje i kontribuon bashkëpunimit të mirë ndërmjet dy vendeve tona, zëvendëskryeministri nënvizoi se ajo forcon dhe vlerat e përbashkëta të cilat i ndajmë në kuadër të rrugës drejt Bashkimit Evropian, por edhe efektin në rritjen e konvergjencës në kuadër të procesit të integrimit në BE.
Para ceremonisë së nënshkrimit, palët zhvilluan dhe një takim bilateral.
Më poshtë, fjala e plotë e zëvendëskryeministrit Bislimi:
E nderuara ministre Gorçeviç,
Të nderuar ambasadorë të Kosovës në Malin e Zi dhe të Malit të Zi në Kosovë,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të nderuar të pranishëm,
Kam kënaqësinë e veçantë t’i uroj mirëseardhje në Kosovë, ministres Gorçeviq dhe të mbajmë së bashku këtë konferencë për media si edhe një vërtetim shtesë i thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve tona.
Ky bashkëpunim do të avancojë dukshëm duke u kujdesur në zbatim të plotë të Marrëveshjes dypalëshe mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA III për vitet 2021-2027, marrëveshje kjo të cilën sapo e nënshkruam.
Marrëveshja i mundëson Kosovës dhe Malit të Zi të përfitojnë përkrahje nga BE-ja për bashkëpunim ndërkufitar në shumën prej 8.4 milionë euro. Qëllimi i këtij programi është promovimi i fqinjësisë së mirë, nxitja e integrimit drejt Bashkimit Evropian, si dhe zhvillimi social, ekonomik dhe territorial i zonës ndërkufitare, diçka që ne si Qeveri i promovojmë, në vazhdimësi kur bëhet fjalë për bashkëpunimin me vendet fqinje.
Në arritjen e këtij qëllimi fokusi dhe prioritetet tematike të përzgjedhura do të jenë:
1. Punësimi, dhe mobiliteti i fuqisë punëtore, përfshirja sociale dhe kulturore, në një proporcion prej 40 % të fondit;
2. Turizmi dhe trashëgimia kulturore dhe natyrore, me rreth 50 % të fondit;
3. Promovimi i qeverisjes lokale dhe rajonale, me dikur rreth 10 % të fondeve të alokuara.
Brenda këtyre prioriteteve, përfitimet nga fondi do të ofrohen përmes projekteve që zbatohen në zonat kufitare Kosovë – Mali i Zi. Në mënyrë që të arrihet zbatimi i gjithë programit me sa më pak vështirësi dhe ashtu siç është paraparë, marrëveshja ofron edhe asistencë teknike, të cilën autoritetet qendrore dhe lokale, organizatat përkatëse por edhe qytetarët në përgjithësi mund ta shfrytëzojnë qoftë për ngritje të kapaciteteve, qoftë për mbështetje.
Gjithashtu, në mënyrë që të sigurohemi për zbatim të suksesshëm dhe të përbashkët të këtij programi, është planifikuar themelimi i një Task Force të Përbashkët me zyrën kryesore në territorin e Malit të Zi (Podgoricë) dhe një zyrë antenë në Kosovë (Prishtinë). Task Forca e Përbashkët do e mbikëqyrë menaxhimin e përditshëm të programit dhe do t’i raportojë Strukturave Operative edhe Komitetit të Përbashkët Monitorues.
Po e përfundoj, duke e ritheksuar se kjo marrëveshje i kontribuon bashkëpunimit te mire ndërmjet dy shteteve tona. Ajo forcon vlerat të cilat ndajmë në kuadër të rrugës së përbashkët drejt Bashkimit Evropian. Kurse në nivelin lokal, përvojat si këto mes tjerash ofrojnë mundësinë e shkëmbimit të praktikave dhe ngritjes së kapaciteteve, të cilat në një masë ndikojnë edhe në rritjen e konvergjencës brenda procesit të integrimit në BE.