Së fundmi, Republika e Kosovës dhe Bashkimi Evropian, kanë nënshkruar marrëveshjen mbi pjesëmarrjen e Kosovës në programin e BE-së “Qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat”. Buxheti total i këtij programi për periudhën 2021-2027 është 1.56 miliardë euro, në kuadër të të cilit mund të përfitojnë të gjitha vendet anëtare të BE-së si dhe vendet që kanë të drejtën e pjesëmarrjes.
Ky program i BE-së, që njihet me shkurtesën CERV (“Citizens, Equality, Rights and Value”), synon të mbështesë dhe zhvillojë shoqëri të hapura, të barabarta dhe gjithëpërfshirëse. Këtu përfshihet shoqëria civile e fuqizuar, përmes inkurajimit të pjesëmarrjes demokratike, qytetare e shoqërore dhe kultivimit të diversitetit të shoqërisë evropiane, bazuar në vlerat, historinë dhe kujtesën e përbashkët.
Përfitues të këtij programi mund të jenë institucionet publike në nivel qendror dhe lokal si dhe organizatat e shoqërisë civile dhe procesi i aplikimit bëhet drejtpërdrejt për grante në BE, për çdo thirrje të hapur.
Programi CERV ka katër shtylla:
· Barazia, të Drejtat dhe Barazia Gjinore – ku përfshihet promovimi i të drejtave, mos diskriminimi, barazia (përfshirë barazinë gjinore) dhe avancimi i integrimit gjinor dhe jo-diskriminues;
· Angazhimi dhe pjesëmarrja e qytetarëve – promovimi i angazhimit dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën demokratike të Unionit, shkëmbimet ndërmjet qytetarëve të shteteve të ndryshme anëtare dhe ndërgjegjësimi për historinë e përbashkët evropiane;
· Dafne (Daphne) – luftimi i dhunës, duke përfshirë dhunën me bazë gjinore dhe dhunën ndaj fëmijëve;
· Vlerat e Unionit – ku përfshihet mbrojtja dhe promovimi i vlerave të Bashkimit Evropian;
Me hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje, Republika e Kosovës do të mund të përfitojë në tri shtyllat e para, pra përveç shtyllës “Vlerat e Unionit”.
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi e nënshkroi marrëveshjen në emër të Republikës së Kosovës këtë muaj, ndërsa Bashkimi Evropian e nënshkroi atë paraprakisht në datën 27 nëntor. Pas nënshkrimit, Qeveria e Republikës së Kosovës po vazhdon procedurat e tjera të nevojshme për të siguruar ratifikimin dhe hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje.