Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati së bashku me Drejtorin e Zyrës për Kosovë të Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) Moritz Reme dhe Kryeshefin e Kompanisë rajonale të Ujësjellësit Prishtina (KRUP) Arsim Fetahu, nënshkruan sot një marrëveshje me vlerë 13.2 milionë euro për trajtimin e ujërave të zeza në kuadër të Projektit “Përshtatja e Zhvillimit Urban me Kushtet Klimatike dhe Menaxhimi i Ujërave të Zeza në Prishtinë”.
Sipas njoftimit të lëshuar nga ministria e Financave, mbështetja financiare e nënshkruar sot i shtohet marrëveshjes fillestare të grantit me vlerë 28.8 milionë euro e nënshkruar në dhjetor të vitit 2022 duke e bërë vlerën totale të grantit 42 milionë euro.
“Qëllimi kryesor i projektit është përmirësimi i infrastrukturës së ujërave të zeza me synim garantimin e cilësisë së ujit dhe përmirësimin e shërbimeve publike të cilat u ofrohen qytetarëve të Kosovës. Projekti ndër të tjera siguron se zhvillimi urban në Kosovë realizohet në përshtatshmëri me ndryshimet klimatike dhe standardet ndërkombëtare për cilësinë e ujit”, thuhet në njoftim.
Përgjatë ceremonisë së nënshkrimit të dyja palët shprehën përkushtimin për zbatimin e projekteve aktuale si dhe thellimin e mundësive të bashkëpunimit në të ardhmen.