Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka udhëtuar drejt Shqipërisë për të nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit midis Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Konjufca bën të ditur se memorandumi i Bashkëpunimit synon, ndër të tjera, zgjerimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit midis Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës në fushat e ligjbërjes, përafrimin e legjislacionit të të dyja vendeve dhe të secilit vend me legjislacionin e Bashkimit Evropian, intensifikimin e diplomacisë parlamentare për shtimin e njohjeve të Kosovës dhe fuqizimin e pozitës së saj në marrëdhëniet dhe organizatat ndërkombëtare, organizimin në mënyrë periodike të Tryezës së Kryetarëve të Komisioneve Parlamentare, si dhe tryezave të përbashkëta mes komisioneve respektove.
Konjufca ishte i shoqëruar nga nënkryetarët Enver Hoxhaj e Bekim Arifi, shefin e kabinetit Ilir Kërçeli, dhe sekretarin Ismet Krasniqi.
“Sot e pata nderin dhe kënaqësinë të mirëpritesha në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë nga Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla. Së bashku me nënkryetarët Enver Hoxhaj e Bekim Arifi, shefin e kabinetit, Ilir Kërçeli, dhe sekretarin Ismet Krasniqi, në kuadër të vizitës zyrtare për të forcuar më tej marrëdhëniet e shkëlqyera midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Së bashku me Kryrtaren Nikolla e nënshkruam Memorandumin e Bashkëpunimit midis Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës. Mirënjohje e falënderime për Nikolla dhe Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, e po ashtu dhe për grupin punues që kontribuoi në përgatitjen e këtij dokumenti të rëndësishëm. Lidhja mes Shqipërisë dhe Kosovës është krejt e veçantë. Edhe vizionin, interesat dhe qëllimet i kemi të përbashkëta. Gjithmonë pranë njëri-tjetrit dhe të bashkuar drejt së ardhmes”, ka shkruar Konjufca, njofton Klankosova.tv.