Nëntë persona janë liruar sot nga karantina në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, meqë të njëjtit nga analizat që u janë bërë mbrëmë ka dalë që nuk janë të infektuar me Covid-19. Ndërsa numri i personave që aktualisht po qëndrojnë të karantinuar në këtë qendër është 168.
“Nëntë persona janë liruar sot, të gjithë kanë dalë negativë që janë testuar dje, dhe 168 është numri momental i personave që po qëndrojnë në karantinë në Qendrën e Studentëve”, tha përmes telefonit për KosovaPress drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta.
Aktualisht numri i personave të infektuar me Covid-19 në Kosovë është 780, ku 22 kanë vdekur dhe 201 janë shëruar.
Republika e Kosovës ka hyrë në javën e shtatë të përballjes me koronavirus, që prej 13 marsit kur u regjistruan rastet e para.
Qeveria e Kosovës ka pezulluar mësimin në shkolla, punën në restorante, ka mbyllur qendrat tregtare e lokale të tjera, si masë mbrojtëse ndaj Covid-19.