Të paktën nëntë persona u plagosën nga një shpërthim mortajash në Tajvan, ku po zhvillohen stërvitjet vjetore pesëditore me municion të vërtetë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Ministria e Mbrojtjes tha se shpërthimi ndodhi në një depo municionesh në bazën ushtarake Hsiang Feng në një qytet pranë kryeqytetit Taipei.
Faqja e lajmeve Focus Taiwan raporton se shpërthimi ka ndodhur në orën 15:00 sipas kohës lokale, kur personeli teknik po kryente kontroll. Dy nga të plagosurit janë në gjendje kritike.
Autoritetet po hetojnë shkakun e shpërthimit.
Tajvani po zhvillon edicionin e 39-të të stërvitjeve ushtarake të njohura si Han Kuang, të cilat po mbahen që nga viti 1984 përgjatë ngushticës së Tajvanit.
Të gjitha pjesët e forcave të armatosura të Tajvanit po marrin pjesë në stërvitjet të cilat përfshijnë stërvitje me municion të vërtetë dhe lojëra të kompjuterizuara luftarake.
Stërvitjet ushtarake “testojnë aftësinë e ushtrisë tajvaneze për të shmangur një pushtim kinez”, tha Focus Taiwan, duke cituar Ministrinë e Mbrojtjes.
Në raportim thuhet se Kina fluturoi 11 avionë, ndërsa gjashtë anije detare nga Kina lundruan rreth Tajvanit.
Si pjesë e stërvitjeve, avionët luftarakë të Forcave Ajrore të Tajvanit fluturuan në anën lindore nga pjesa perëndimore e Tajvanit “në një simulim të një pushtimi”.
Ministria tha se 46 stërvitje të sulmit ajror do të zhvillohen deri të enjten, duke u kërkuar civilëve të strehohen kur të zhvillohen stërvitjet e përbashkëta të mbrojtjes ajrore.
Anijet kryesore detare të Tajvanit janë gjithashtu në det “në përgatitje për t’u përballur me forcat armike dhe për të vendosur mina detare për të ngadalësuar pushtimin e armikut”.
Për herë të parë, ushtria gjatë stërvitjeve do të përdorë edhe aeroportin civil ndërkombëtar Taoyuan.