Qyteti, në kuptimin e tij të plotë, pohon sociologu i njohur amerikan Lewis Mumford është një pleksus gjeograik, një organizim ekonomik, një proces institucional, një teatër i veprimit shoqëror dhe një simbol estetik i unitetit kolektiv. Përkitazi me këtë, është poaq një imazh i gjithësecilit prej grupeve shoqërore që e përbëjnë atë, sa një realitet faktesh dhe statistikash. E gjithë kjo, sipas profesorit të teorisë kritike Marc Blanchard, ka kijuar një depo mendimesh, ndjenjash dhe emocione të njerëzve që e jetësojnë atë.
Shkruan: Besart Peci
Për t’i njohur dhe lexuar ato, dhe për t’i avancuar si mendime dhe pikëpamje, në korpusin e konglomerateve shoqërore, historikisht njerëzimi, në mënyrë të vazhdueshme ka prodhuar filozofi të dijes, të manifestuara më vonë edhe në institucione, të tilla si biblioteka, si burime të njohjes dhe informacionit. Bibliotekat morën hov në Renesancë dhe identiteti i tyre lidhej ngushtë me zhvillimin e qytetit. Në modernizëm, ekziston një lidhje e ngushtë, thuajse e pandashme e bibliotekës me pushtetin dhe kulturën e një komuniteti.
Qasja krahasuese ndërmjet qyteteve të zhvilluara urbane dhe një qyteti Kosovar, në rastin tonë, Mitrovicës do të ishte jo reale në kategorizimin e hapësirës urbane. Kjo për faktin, pasi që, si shumica e instancave institucionale, edhe bibliotekat janë dëmtuar rëndë në Luftën e Fundit, janë djegur libra, materiale dhe janë zhdukur dokumente. Krahas kësaj, institucionet kulturore në qytete të varfra nuk shihen si veprim ekonomik dhe sociologjik, por si prioritet tradicional politik. Por qasja përkon në konceptet dhe ideimin e pushteteve politike mbi bibliotekën.
Kjo qasje, përveç që ka qenë e pa menduar, ka prodhuar rrezik të madh për hapësirën urbane në Mitrovicë, nëpërmjet atentateve të vazhdueshme ndaj identitetit të bibliotekës, e cila në ditët e sotme e gjenë veten në hapësira sportive.
Janë tri probleme kyçe që e përshkruajnë gjendjen e Bibliotekës “Latif Berisha”:
HAPËSIRA FIZIKE
Ka ekzistuar një kohë kur “Biblioteka e qytetit” përveç emrit, ka bartur edhe një simbol shpirtror përfaqësimi nëpërmjet hapësirës ku ka vepruar. Ish-hoteli Jadran, që tashmë është në listë të përhershme të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në Republikën e Kosovës, dikur kishte në hollet e saj “Bibliotekën e Qytetit”. Binomi më i bukur i hapësirës urbane në Mitrovicë, si relikt i fundit i një përfaqësimi të Renesancës u zhdukë nga pushteti i kohës në krye me PDK-në e Avni Kastratit, për t’u bartur në një pronë shoqërore të “Bankosit”.
Arsyetimet e pushtetit të asaj kohe ishin reagime deklarative, pa ndërmarrur asnjë veprim institucional. Degradimi vazhdoi në kohën e pushtetit të Agim Bahtirit. Me vendimin e bordit të drejtorëve të Komunës së Mitrovicës, biblioteka ishte larguar nga objekti i “Bankosit” për t’u vendosur në ndërmarrjen publike sportive “Omni Sport” ku vepron sot e asaj dite. Kjo është njëra ndër fatkeqësitë që i ka ndodhur qytetit të Mitrovicës.
Vendimarrja politike si aspekt kritik i mbarëvajtjes së jetës së qytetit e ka parë bibliotekën jo si bashkëpunuese në hartimin e politikave, ideve, konsolidimin e interesave të qytetarëve/eve, por si institucion terciar për zhvillimin urban. Kjo ka bërë që mendësia qeversëse të shndërrohet në provinciale në trajtimin e saj. Është e kundërta e asaj që mësohet në historinë greke të qytetit, përshkrimin e “metropolit” (nën-qyteteve), ku ato në radhë të parë duhet parë si të përgjegjshme të kujdeshme dhe më kryesorja, si edukuese.
DEGRADIMI INSTITUCIONAL
Po bëhen afro gjysmë dekade që biblioteka nuk ka drejtor/eshë. Nuk ka një menaxhim të mirëfilltë pavarësisht problemeve të hapësirave. Pushtetet padallim janë bukur të sofistikuara për futjen e anëtarëve/eve të tyre si nënpunës/e dhe të pa interesuara për zgjidhjen e problemeve. Në të kaluarën, biblioteka kishte përfaqësim edhe në zonat jashtë qytetit, në disa fshatra të caktuara. Sot nuk ka përfaqësim për vete, jashtë konceptit administrativ.
Asnjë seancë nuk është thirrur nga kuvendi komunal për gjendjen e saj dhe asnjë kandidat/e për kryetar/e nuk ka hartuar asnjëherë strategji dhe plane për bibliotekën. Institucionet komunale kanë vazhduar ndër vite të mos e shohin atë si prioritet. Vëmendja institucionale ndaj saj, duke e bërë me udhëheqës/e dhe staf të mirëpërgaditur, do të rezultonte pa dyshim në zbatim më të mirëfilltë të politikave të saj, përgaditje më efiçiente buxhetore, mbikëqyrje të përgjegjshme të aseteve, rekomandime të politikave, sidomos ato të rritjes së kapaciteteve dhe skenare të mundshme se si t’u ofrohet zgjidhje problemeve në qytet.
NEGLIZHENCA INSTITUCIONALE
Biblioteka e qytetit akoma nuk është bërë parësore për qeverisjen e tanishme, siç nuk ka qenë në të kaluarën. Përveç që mungojnë planet dhe objektivat, neglizhenca vazhdon me prodhu skandale të organizimit institucional, të tilla si dështimi i konkurseve për të parin/en e saj, nepotizmi dhe mungesa e përgjegjësive. Entiteti më kryesor, mosdefinimi i hapësirës së saj, ku ajo do të vepronte përfundimisht. Kjo na jep pasiguri, se nesër do të bartet prap, siç ka ndodhur në të kaluarën, saherë që pushteti e ka paraparë më të rëndësishme se ajo një dyqan këpucësh, një “fast-food”, një ëmbëltore, apo nesër një klub sporti.
Biblioteka në Mitrovicë që moti është e ndarë nga sistemi i edukimit publik. Ajo po e humbet çdo ditë mundësinë e arritjes së një hapësire ku do të zënin vend ngjarje e manifestime kulturore si dhe do të bashkëvepronin lexuesit/et, studentët /et, akterët/et e akademisë dhe biznesit, udhëtarët/et e turistët/et, duke përfshirë edhe audiencën ndërkombëtare.