Që prej eliminimit nga Kroacia në çerekfinale të Botërorit të Katarit dhe ndarjes nga Tite, kombëtarja braziliane është në kërkim të një trajneri të ri dhe nuk është sekret që dëshira më e madhe e kombëtares është trajneri i Realit, Carlo Ancelotti. Por trajneri italian as që dëshiron të flasë deri në fund të sezonit, ndaj brazilianët po përgatiten për një përfundim të mundshëm negativ, pra një refuzim nga ana e Ancelottit.
Athletic raporton se Brazili ka disa kandidatë të tjerë në rast të refuzimit të Ancelottit, ku Jose Mourinho është në mesin e tyre. Trajneri i Romës nuk është përmendur në kontekstin e trajnerit të ri brazilian dhe Athletic shkruan se ai është interesant për ta për shkak të “historisë së tij të fitimit të trofeve, karizmës dhe zotërimit të gjuhës portugeze”.
Kush janë kandidatët e tjerë?
Përveç tij, në listë janë Jorge Jesus nga Fenerbahce dhe dy trajnerë nga klubet vendase – Fernando Diniz i Fluminense dhe Abel Ferreira i Palmeiras.
Mourinho ka edhe një vit të mbetur në kontratën e tij me Romën pas përfundimit të këtij sezoni, kështu që angazhimi i tij do të ishte i komplikuar, por Ancelotti nuk e ka një situatë të qartë as te Reali. Ai ka kontratë për sezonin e ardhshëm, por me kusht që të fitojë të paktën një trofe këtë sezon, transmeton Fol Drejt.