Këshilli Drejtues i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës kanë thënë se nëse nuk do të takohen deri të hënën me njërin nga ministrat ose Komisionet Parlamentare siç kanë kërkuar, atëherë të martën do të ketë grevë 24-orëshe në të gjitha institucionet shëndetësore publike.
Sipas komunikatës për medie, Këshilli Drejtues i FSSHK-së në mbledhjen e mbajtur me datë 15.12.2021 ka vendosur unanimisht që t’i hap rrugë dialogut social duke iu adresuar edhe njëherë krerëve institucional sikurse Ministrit të Shëndetësisë, Ministrit të Punëve të brendshme dhe administratës, Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe mirëqenie sociale si dhe Komisionit për buxhet dhe financa, me të vetmen kërkesë, diskutimin dhe nxjerrjen e konkluzioneve të përbashkëta për Projektligjin e Pagave.
“Këshilli Drejtues i FSSHK-së mirëpret nga të lartëpërmendurit zhvillimin e takimeve më së largu deri të Hënën me datë 20.12.2021, nëse nuk do të realizohet asnjë takim deri me këtë datë, Këshillin Qendror Grevist është autorizuar nga Këshilli Drejtues i FSSHK-së që me datë 21.12.2021 e Martë të mbaj Grevë të Përgjithshme 24(njëzetekatër) orëshe pranë të gjitha institucioneve publike shëndetësore”, thuhet në komunikatë.
Sipas kësaj komunikate, Këshilli Drejtues i FSSHK-së është i prerë dhe i qartë në artikulimin e kërkesave legjitime të punëtorëve shëndetësor por edhe vigjilent para një situate tejet të rënduar të institucioneve shëndetësore me trajtimin e pacientëve pas përhapjes së Gripit sezonal dhe mbingarkesën e punëtorëve shëndetësor.
“Trajtimi me seriozitet dhe përparësi i këtyre kërkesave do të jetë kruciale për vazhdimin e veprimeve sindikale”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/