Kantieret e ndërtimit nuk kanë fund as në Gjermani, megjithatë shfaqet një mungesë e madhe e tregut të punës. Ligjet e reja për emigrimin e punëtorëve nuk kanë ndihmuar shumë firmat e ndërtimit. Ata kanë nevojë për më shumë punëtorë, shkruan konservatorja gjermane Die Welt.
Shefi Federal i Unionit Ekonomik të Ndërtimit në Gjermani, Marcus Nachbauer (BVB), ka kërkuar nga qeveria e Berlinit që sëpaku të vijojë Rregulli për Ballkanin Perëndimor, i cili pritet të përfundojë në fund të 2020.
Në rast se zhvleftësohet i ashtuquajturi Rregulli për Ballkanin Perëndimor, atëherë “kompanitë e ndërtimit do goditen rëndë nga ekonomia”, përcjell foldrejt.com, fjalën e Nachbauer.
Lejet e qëndrimit në Gjermani duhet të lehtësohen jo vetëm për specialistët e IT dhe të kualifikuarit tjerë, por edhe për mjeshtërit e ndërtimit.
Përpara katër vitesh Gjermania lehtësoi ardhjen e punëtorëve nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, ku ata mjaftonin që të kishin një kontratë pune dhe menjëherë u jepej e drejta e vizës së punës. Por ky rregull vlen deri në fund të 2020.
Rreth një e treta e ballkanasve kanë emigruar drejt Gjermanisë si punëtorë ndërtimi dhe në rast se ky rregull ndërpritet, atëherë vërtet sektori i ndërtimit në këtë vend do ketë probleme. Kjo mund të shpie edhe në rritjen e punëtorëve ilegalë.
Momentalisht në Gjermani ka rreth 3.5 milionë punëtorë ndërtimi dhe qarkullojnë 350 miliardë euro në vit. Kjo pasi brenda një viti në Gjermani ndërtohen rreth 80 mijë shtëpi./Foldrejt.com