Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF dhe Këshilli i Nxënësve të Kosovës – KNK kanë reaguar me rastin e 1 shtatorit, përkatësisht paralajmërimeve se edhe sot do të vazhdojë greva, shkruan Fol Drejt.
“Nëse sot më 1 shtator nuk fillon mësimi, rreth 320,000 nxënësve do t’i mohohet e drejta themelore për arsim. Në mesin e tyre, e drejta për arsim do t’i mohohet rreth 25,000 fëmijëve të cilët presin të ulen në bankat e shkollës për herë të parë.
Mohimi i arsimit është shkelje e të drejtës themelore të fëmijës, e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës.
KOMF i bën thirrje palëve në këtë proces të kenë konsideratë kryesore interesin më të mirë të fëmijës, të gjejnë një zgjidhje të përbashkët, pasi ndërprerja e arsimit dëmton më së shumti fëmijët” – thuhet në reagim.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), bashkë me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), kanë paralajmëruar se edhe sot do të vijojë greva, përkundër presioneve nga niveli qendror./FolDrejt/