Sekretari për Marrëdhënie Ndërkombëtare i Partisë Demokratike të Kosovës, Bernard Nikaj, në një konferencë për media ka kërkuar përgjegjësi e llogaridhënie nga Qeveria Kurti për menaxhim të krizës energjetike.
Sipas Nikaj, kjo situatë 6 orë me rrymë dhe 2 pa rrymë në mes të gushtit është dështim kapital i logjikës rrugë pa krye të Albin Kurtit, njofton Klan Kosova.
“Fatkeqësisht, në një vend me qeverisje të paaftë, depresive e të papërgjegjshme, sic është qeveria e Albin Kurtit, kjo është asgjë më pak sesa manifestim i keqmenaxhimit, i cili, për faktin që po ndodhë tash kur nuk është dashur as të paramendohej, rrezikon të bëhet normë, atëherë kur edhe mund të presim përkeqësim të situatës me furnizim të energjisë elektrike gjatë dimrit.”, tha ai.
“Koorporata Energjetike e Kosovës është po e njëjta Koorporatë, e cila veçmas në muajt e verës, me kapacitetet e veta prodhuese arrinë të mbulojë nevojën e konsumit të energjisë, pa pasur nevojë për reduktime. Megjithatë, ja që me 15 gusht të 2022-tës, në mes të verës, qytetarët e Kosovës janë në terr. Prandaj, përgjegjës për këtë situatë, nuk janë punëtorët e KEK-ut. Përgjegjës për këtë situatë, është një faktor tjetër dhe ajo është qeveria e Kosovës, e cila me qasjen ndaj menaxhimit të KEK-ut, me qasje pa plan, pa guxim dhe pa ide se si me menaxhu sektorin energjetik, e ka pru punën që ta ringjallë nga harresa kolektive, doktrinën e reduktimit të energjisë elektrike”, theksoi Nikaj.
“Edhe vjeshtën e vitit të kaluar, në vazhdimësi kemi paralajmëruar për sfidat e furnizimit me energji gjatë dimrit. Këto paralajmërime ranë në veshë të shurdhër të qeverisë aktuale e cila nuk ndërmorri asgjë por thjeshtë, e injoroi situatën. Edhe këtë vit, ka më shumë se dy muaj që kemi paralajmëruar thellimin e krizës energjetike dhe kemi rekomanduar se cfarë veprime duhet të ndërmirren. Përsëri, Qeveria s’ka bërë asgjë, përvec që së voni ka filluar ta konfirmoj atë që e kemi thënë ne më herët – se ky dimër do të jetë edhe më i rëndë se dimri i kaluar. Edhe sot na duhet ta theksojmë se dimri po vjen dhe nëse vera po përmbyllet me terr, atëherë dimri do të na gjejë me terr, por edhe pa ngrohje dhe me çmime të larta. Dhe fajin për këtë krizë e ka vetëm Qeveria”, tha Nikaj.