Nesër, nga ora 19:00 në Menzën Ramiz Sadiku në Prishtinë, do të mbahet promovimi i fjalorit “Kosova brenda tridhjeteshtatë shkronjave” i autorit Qerim Ondozi.
Se cilat janë fjalët që përdoren më shpesh nga kosovarët? Cili është kuptimi i parë dhe i dytë që u jepet fjalëve dhe shkurtesave në Kosovë? Cilat janë elementet konotative, politike, historike e fetare të këtyre fjalëve? Çka është Amelika? Pse shkruhet me l dhe jo me r? Çka është situata? Ç’kuptim kishte kjo fjalë në vitet ‘90? Cila është fjala më e përdorur në Kosovë nga viti 1999 e këtej? Si e formëson kjo fjalë të shkuarën dhe të tashmen tonë? Këto janë disa nga temat që i shtjellon ky fjalor.
“Ky fjalor i ilustruar bashkon disa nga fjalët dhe shprehjet më të (keq)përdorura kosovare në 50 vitet e fundit, që i japin ngjyrë historisë së re të Kosovës, e që formësuan të kaluarën tonë dhe vazhdojnë të formësojnë të tashmen dhe të ardhmen tonë”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e organizatorëve të promovimit.
Përveç Qerim Ondozit, i cili është autor i këtij fjalori, ata që kontribuan në realizimin e tij janë gjithashtu edhe Driton Selmani, autor i ilustrimeve, redaktorët Arif Muharremi dhe Florie Xhemajli si dhe dizajni i këtij libri u realizua nga Davud Zukic.
Ky projekt është realizuar në kuadër të platformës Heritage Space e cila implementohet nga CHwB Kosova dhe financohet nga Qeveria Suedeze dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve./FolDrejt/