Nënoficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Besim Bajraktari i cili vdiq nga një sëmundje e rëndë të hënën, do të varreset përgjatë ditës së nesërme nga ora 14:00 në varrezat e fshatit Batllavë, në Podujevë.
Kështu ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes përmes një njoftimi në Facebook, duke njoftuar se do të ketë homazhe nga njësitë e FSK-së në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë” nesër në ora 10:00.
“Homazhet nga njësitë e FSK-së, do të mbahen në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, me datë 20.01.2022 në ora 10:00, ndërsa ceremonia e varrimi do të bëhet në ora 14:00 në varrezat e fshatit Batllavë, Komuna e Podujevës. Homazhet në Kazermë nuk janë të hapura për publikun”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
“Besim Bajraktari ka lindur më 23 Janar 1973 në fshatin Batllavë , Komuna e Podujevës. Ka qenë pjesëtar i UÇK-së, në Komandën e Zonës Operative të Llapit, pas transformimit të UÇK-së ka shërbyer në Shtabin e Përgjithshëm në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, dhe që nga themelimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës ka kryer detyra dhe pozita të larta të nënoficerit: Në Brigadën e Reagimit të Shpejtë, Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes dhe vdekja e ndau në pozitën e nënoficerit të lartë në Departamentin e Operacioneve dhe Trajnimeve në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së.
Pas vetës la bashkëshorten dhe tre vajza”, përfundon njoftimi.