Kryeministri italian, Mario Draghi, nesër do të përballet me dy vota besimi, fillimisht në Senatin e Italisë dhe më pas në Dhomën e Ulët, të cilat do të vendosin mbijetesën e qeverisë së tij të koalicionit.
Draghi do t’u adresohet dhomave para votimeve, siç kërkohet nga presidenti Sergio Mattarella, i cili javën e kaluar refuzoi dorëheqjen e kryeministrit, pas një frakture fatale midis partnerëve në pushtet, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Kriza shpërtheu të enjten pasi ligjvënësit nga lëvizja ‘5 Yjet’, një nga partitë kryesore të koalicionit, u larguan nga Senati para një votimi kritik për masat kryesore të qeverisë.
Derisa situata mbetet në rrjedhë, ka dy skenarë kryesor që mund të ndodhin para votimeve të ditës së nesërme, kryeministri Draghi mund të qëndrojë si kryeministër, siç bëjnë thirrje shumë politikanë në Itali dhe jashtë saj ose Mattarella do të detyrohej të thërrasë zgjedhje të parakohshme për në vjeshtë.
Opsioni tjetër i mundshëm, që do të kërkonte formimin e një qeverie të re me një kryeministër të ri të mbështetur nga një koalicion tjetër, duket gjithnjë e më i pamundur për shkak të ndarjeve në rritje midis partive italiane.
Draghi ka deklaruar hapur se nuk do të qeveriste me një koalicion tjetër që nuk përfshin ‘5 Yjet’. Partia e padisiplinuar ka qenë e mbyllur në bisedime të brendshme që nga fillimi i krizës, por duket gjithnjë e më shumë e ndarë.
Në votimin e besimit gjatë ditës së nesërme, një grup përkatës ligjvënësish nga radhët e lëvizjes ‘5 Yjet’ duket se janë gati të mbështesin qeverinë e kryeministrit Draghi. Kjo mund të bind qeverinë që të provojë edhe një herë dhe të qëndrojë si kryeministër me të njëjtën shumicë parlamentare.
Nese Draghi përsërit dorëheqjen e tij, presidenti Mattarella do të ketë disa opsione të tjera përveç shpërndarjes së parlamentit dhe thirrjes së zgjedhjeve të parakohshme. Në atë rast, zgjedhjet mund të mbahen nga fundi i shtatorit deri në fillim të tetorit dhe kryeministrit Draghi mund t’i kërkohet nga presidenti të qëndrojë si kryeministër i përkohshëm deri atëherë.
Draghi, një ish-kryetar i Bankës Qendrore Evropiane, ka shërbyer si kryeministër i Italisë që nga shkurti i vitit 2021./FolDrejt/