Organizata joqeveritare “NGO Voice of Roma, Ashkali and Egyptians” ka bërë të ditur se nesër, më 7 shtator, në Sheshin “Skënderbeu”, duke filluar nga ora 13:00, pritet të organizohet ceremonia e ndarjes së çmimit “Joanat e Kosovës”, transmeton Fol Drejt.
Në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se ndarja e çmimeve do të bëhet nga Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Çmimi “Joanat e Kosovës” është duke u organizuar për herë të parë në Kosovë, ky çmim do të jetë në kuadër të Festivalit Multikulturor.
Përndryshe Joan Trumpauer Mulholland është aktiviste e të drejtave të komuniteteve në Amerikë, pjesëmarrëse në turneun e famshëm “Freedom Rides” në vitin 1961, përmes të cilit synuan që të ndalojnë diskriminimin që bëhej gjatë përdorimit të transportit publik në Amerikë.
Për shkak të aktivizmit të saj, Mulholland u përjashtua nga familja, u sulmua dhe u kërcënua nga turmat dhe madje u mbyll për javë të tëra në një qeli për t’u dënuar me vdekje.
“Ndarja e këtij çmimi është shprehje e vërtetë e falënderimit dhe një ndriçim për individët e jashtëzakonshëm të Kosovës që kanë udhëhequr rrugë të ndryshme drejt një shoqërie më të drejtë dhe të përfshirë” – thuhet ndër të tjera në njoftimin zyrtar./FolDrejt/