Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës, njofton se nesër do të vaksinohen rreth 250 punëtorët e parë ndërsa në ditët në vijim do të vazhdohet edhe me 250 të tjerë.
Në komunikatë thuhet se delegacioni i FSSHK-së i përbërë nga kryetari Blerim Syla dhe Islam Krasniqi në prani të Ambasadorit të Kosovës në Shqipëri Nait Hasani sot kanë zhvilluar takim me Ministrinë e Shëndetësisë të Republikës së Shqipërisë dhe janë dakorduar për çështjet teknike të vaksinimit të punëtorëve shëndetësor të Kosovës.
FSSHK thotë se në Kukës është duke u përgatitur një hapësirë e veçantë për vaksinimin e punëtorëve shëndetësor të Kosovës.
Vendi ynë shtet pritet të përfitojë vaksinat e para nga COVAX – skema e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për shpërndarje të vaksinave në vendet e varfra.
Në dërgesën përmes COVAX-it, Kosova do të përfitojë 100,800 doza të vaksinës së prodhuar nga kompania AstraZeneca.
Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK) Valbon Krasniqi, ka paralajmëruar të premten se gjatë muajit mars mund të tejkalohen të gjitha kapacitetet spitalore, për shkak të rritjes së numrit të rasteve me koronavirus në javët e fundit.
Edhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se nëse vazhdohet me mbingarkesën e spitaleve, do të ketë vështirësi të menaxhimit të rasteve klinike.