Jordania nesër do të presë samitin katërpalësh ku do marrin pjesë liderët e SHBA-së, Egjiptit dhe Palestinës për të diskutuar rrugët për “ndalimin e luftës” në Rripin e Gazës.
Në një deklaratë nga Zyra Mbretërore e Jordanisë thuhet se nesër mbreti Abdullah II i Jordanisë do të takohet me presidentin e SHBA-së, Joe Biden, presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi dhe presidentin e Palestinës, Mahmoud Abbas, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Mbreti Abdullah do të presë edhe samitin katërpalësh ku do të marrin pjesë liderët e SHBA-së, Egjiptit dhe Palestinës, thuhet në deklaratë. Në samit do të diskutohen “zhvillimet e rrezikshme në Gaza, reflektimet e këtyre ndaj rajonit dhe gjetjen e një zgjidhjeje politike që të rigjallërojë procesin e paqes”.
Mbreti Abdullah do të zhvillojë takime të ndara me liderët e Egjiptit dhe Palestinës dhe se Jordania do të mirëpresë edhe samitin trepalësh që do zhvillohet me liderët e Egjiptit dhe Palestinës.
– Konflikti Izraeli-Palestinë
Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Izzeddin Kassam, nisi sulm gjithëpërfshirës ndaj Izraelit në mëngjesin e 7 tetorit, të quajtur “Tufani i Aksa-së”. Ndërsa mijëra raketa u hodhën nga Gaza drejt Izraelit, grupet e armatosura palestineze bastisën dhe morën nën kontroll portën kufitare Beit Hanun-Erez në kufirin Gaza-Izrael.
Më pas ushtria izraelite filloi sulme ndaj Rripit të Gazës me dhjetëra avionë luftarakë. Në sulmet e kryera nga Gaza, përfshirë 299 ushtarë kanë humbur jetën 1.400 izraelitë ndërsa janë plagosur 3.968 të tjerë.
Ministria palestineze e Shëndetësisë ka njoftuar se në sulmet e Izraelit në Gaza janë vrarë 2.848 palestinezë ndërsa janë plagosur 10.859 të tjerë. Në sulmet e ushtarëve izraelitë dhe kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor të pushtuar janë vrarë 61 palestinezë dhe janë plagosur rreth 1.250 të tjerë.
Gjithashtu në sulmet e Izraelit kanë humbur jetën 13 gazetarë.
Ndërsa në konfliktet e shënuara në kufirin izraelit në jug të Libanit mes Hezbollahut dhe ushtrisë izraelite që nga 8 tetori e deri më tani, kanë humbur jetën 3 civilë, 4 milicë të Hezbollahut dhe 2 anëtarë të Lëvizjes së Xhihadit Islamik Palestinez. Në sulmet e kryera nga ana e Libanit humbën jetën 3 ushtarë izraelitë./FolDrejt/