Ministria e Shëndetësisë pranoi sot 4,680 doza të vaksinës Pfizer/BioNTtech kundër COVID-19, pjesë e parë e 95,000 dozave të cilat Bashkimi Evropian i ka ndarë për Kosovën në kuadër të mbështetjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në vaksinim.
Me rekomandim të Komitetit për vaksinim kundër COVID-19, këto doza të vaksinës Pfizer/Biontech do të përdoren për vaksinimin e punëtorëve shëndetësor, të cilët nuk kanë mundur të vaksinohen në fazën e parë të vaksinimit për arsye shëndetësore për çka duhet të kenë dëshmi.
Vaksinimi do të rifillojë nesër, me punëtorët shëndetësorë nga e tërë Kosova, të cilët do të vaksinohen në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, duke filluar nga ora 10:00, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.
Furnizimi i Kosovës me 95,000 vaksina BioNTech/Pfizer është pjesë e një përpjekjeje të përbashkët të BE dhe Austrisë për të siguruar 651,000 doza BioNTech/Pfizer për Ballkanin Perëndimor, për të mbështetur rajonin në vaksinimin e personelit shëndetësor në front të parë si dhe persona nga grupe më të rrezikuara.
Austria ka lehtësuar dhe para-financuar transferimin e këtyre vaksinave, të cilat financohen nga paketa prej 70 milion euro, e miratuar nga Komisioni Evropian për të financuar vaksinat në fjalë.