Nesër, më 20 qershor do të mbahet takimi i dy qeverive shqiptare, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë.
Takimi do të zhvillohet në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, transmeton Fol Drejt.
Policia e Kosovës ka njoftuar se do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mbajtjen e rendit e qetësisë publike.
“Me datën 20 qershor 2022, në Republikën e Kosovës, në Prishtinë do të mbahet takimi i radhës mes dy qeverive, asaj të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Policia e Kosovës, do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mbajtjen e rendit e qetësisë publike, gjatë kohës së zhvillimit të mbledhjes dhe gjatë lëvizjes së kryeministrit dhe ministrave të Qeverise së Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e policisë.
“Në kohën e ardhjes së përfaqësuesve shtetërorë nga Shqipëria, për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim, Policia e Kosovës, sot në orët e pasdites (19.06.2022) dhe nesër (20.06.2022) sipas itinerarit të lëvizjes së personaliteteve/delegacioneve do të bëjë ndërprerje të përkohshme në intervale të shkurta kohore të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore ku pritet të kalojnë delegacionet”, thuhet në tej në njoftim.
Për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta do të angazhohen zyrtarë policorë të njësiteve relevante, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik. /FolDrejt/