Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, edhe pse nuk është i pranishëm në panairin e sotëm të Mostarit, ka dërguar një videomesazh në të cilin i është referuar rëndësisë së bashkëpunimit të Izraelit me vendet e Ballkanit Perëndimor, shkruan Klix, përcjell Fol Drejt.
Kur është fjala për Mostarin, Netanyahu tha se ky qytet është një vend i historisë, por edhe i së ardhmes.
“Ndërsa jeni duke qëndruar në Mostar, vendi i historisë dhe i së ardhmes, kam mundësinë t’ju drejtohem. Ne të gjithë jemi të përkushtuar për të promovuar paqen, prosperitetin dhe të ardhmen. Izraeli ka zhvilluar një ekonomi të lirë dhe ne jemi bërë të njohur për inovacionin. Ju gjithashtu keni një frymë sipërmarrëse, një vizion për të ardhmen. Ne besojmë se nëse Izraeli me aftësitë e tij teknologjike dhe vendet tuaja me shumë talente bashkohen, ne mund të kemi një bashkëpunim të dobishëm reciprok”, tha Netanyahu.
Ai po ashtu theksoi se do të planifikojë ta vizitojë këtë ngjarje në të ardhmen.
“Mezi pres të takohem me ju që të përmirësojmë bashkëpunimin në praktikë”, theksoi kryeministri i Izraelit.
Së fundi, Netanyahu iu referua rolit të Bosnjë-Hercegovinës në luftën kundër antisemitizmit.
“Unë e di që të gjithë jeni të përkushtuar në luftën kundër antisemitizmit. Një falënderim i veçantë për mikun tim Čović. Ju premtuat se do t’i hiqni emrat e rrugëve me emrat e kriminelëve të luftës në Mostar. Ju e keni përmbushur premtimin tuaj. Unë e vlerësoj veprimin tuaj, i cili mund të shërbejë si shembull për të gjithë në botë”, përfundoi Netanyahu. /FolDrejt/