“Marrëveshja e vjetër tashmë i ka hapur rrugën Iranit drejt bombës (bërthamore). Marrëveshja e re është edhe më e keqe, kjo marrëveshje është e tmerrshme”, tha Netanyahu.
Ish-kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se e konsideron marrëveshjen që pritet të arrihet nga bisedimet e vazhdueshme mbi programin bërthamor me Iranin në Vjenë si një marrëveshje të “tmerrshme”, shkruan AA.
Në një deklaratë për kanalin izraelit i24, Netanyahu bëri vlerësime për negociatat e programit bërthamor midis Iranit dhe aktorëve ndërkombëtarë në Vjenë të Austrisë.
Duke theksuar se marrëveshja e re, e cila pritet të arrihet, do të jetë më e keqe se marrëveshja e parë e arritur në vitin 2015, por e anuluar më vonë, Netanyahu tha: “Marrëveshja e vjetër tashmë i ka hapur rrugën Iranit drejt bombës (bërthamore). Marrëveshja e re është edhe më keq, kjo marrëveshje është e tmerrshme”, transmeton Fol Drejt.
“Kjo marrëveshje i lejon Iranit, me miratimin ndërkombëtar, të pasurojë uranium për një kohë të pacaktuar. Ajo i ushqen ata me miliarda dollarë për të vazhduar fushatat e tyre terroriste në Lindjen e Mesme dhe në mbarë botën”, tha ish-kryeministri në Izrael, i cili tani udhëheq opozitën.
Duke deklaruar se ai nuk ishte dakord me heqjen e sanksioneve kundër Iranit në këmbim të marrëveshjes, Netanyahu argumentoi se në vend të kësaj, duhet të zbatohen “kërcënime të besueshme ushtarake”.
Negociatat mbi programin bërthamor në Vjenë
Ndërsa është bërë përparim i rëndësishëm midis Iranit dhe aktorëve ndërkombëtarë në negociatat në Vjenë, qeveria e Teheranit pret që sanksionet të hiqen në fund të negociatave.
Marrëveshja e parë, e quajtur Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA) për aktivitetet bërthamore të Iranit, u nënshkrua në vitin 2015 midis 5 anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (Britani, SHBA, Kinë, Francë, Rusi), Gjermanisë dhe Iranit.
Sanksionet ekonomike të vendosura ndaj Iranit u rivendosën pas vendimit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, për të tërhequr në mënyrë të njëanshme vendin e tij nga marrëveshja në vitin 2018. Pas kësaj, administrata e Teheranit iu kthye gradualisht aktiviteteve të saj bërthamore.
Diskutimet për zbatimin e JCPOA rifilluan në Vjenë, në nëntor 2021./FolDrejt/