Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka në plan të enjten të vizitojë Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), sipas gazetës “Israel “Hayom”, transmeton Anadolu.
Asnjë burim zyrtar izraelit nuk e ka konfirmuar lajmin.
“Zyra e kryeministrit ka rifilluar kontaktet me përfaqësuesit e princit të kurorës së Abu Dhab-it, Mohammed bin Zayed, për të koordinuar vizitën e Netanyahut”, tha gazeta.
“Sipas planit aktual, i cili nuk është miratuar përfundimisht, vizita do të bëhet të enjten”, shtoi e përditshmja izraelite.
Javën e kaluar, Netanyahu shtyu vizitën e tij zyrtare në EBA për shkak të vështirësive që u shfaqën në koordinimin e kalimit të fluturimit të tij përmes hapësirës ajrore të Jordanisë.
Netanyahu e ka shtyrë vizitën e tij në EBA shumë herë që nga nënshkrimi i marrëveshjes së sponsorizuar nga SHBA-ja në shtator për të normalizuar marrëdhëniet e tyre.