Pandemia e ka ulur kërkesën për fuqi punëtore në Kroaci, por ende turizmi dhe gastronomia kanë nevojë për punëtorë sezonalë. Para sezonit veror, atje po kërkohen kuzhinierë e punonjës hotelesh.
“Punëtorët sezonalë nga Serbia kanë pushtuar Kroacinë!” Ky ishte një titull bombastik i mediave kroate para pikërisht dy vjetësh, kur Kroacia kishte 5 herë më shumë turistë se banorë.
Sigurisht në kushte të tilla, kur turizmi kroat mori kaq hov, edhe nevoja për fuqi punëtore nga jashtë ishte e madhe.
Pandemia e ka ulur ndërkohë këtë ritëm, por edhe këtë verë Kroacia do të punësojë punëtorë sezonalë.
Preferenca për punëtorë nga vendet fqinje
Por drejt perëndimit ka kohë që nisen shumë kroatë. Në vitet para pandemisë janë larguar 40.000 vetë në vit nga Kroacia, shumica për në Gjermani.
Edhe kjo është një nga arsyet pse, në Kroaci ka shumë punëtorë sezonalë nga Bosnje-Hercegovina, Kosova, Shqipëria, apo Serbia.
Në restorantin në Promajna u vendos për një ekip pune nga Serbia, megjithëse, sipas tyre, mund të merreshin edhe forca punëtore nga Rumania dhe Bullgaria.
Hrvoje Tomas i shpjegon arsyet: “Ata e njohin kuzhinën tonë dhe është më e lehtë të komunikosh dhe punosh se me forca të tjera që vijnë nga lindja e BE”.
Beogradasi Aleksandar sidoqoftë është i kënaqur, me pritjen që i kanë bërë në brigjet kroate. “Ne trajtohemi shumë mirë nga vendasit, nga të gjithë, me ata që kemi pasur kontakt. Deri më tani nuk kemi pasur asnjë problem”, thotë Aleksandar Simić. Tani të gjithë janë gati në pritje të turistëve.