Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka reaguar pasi Lëvizjes FOL ka deklaruar se nuk ka marrë përgjigje lidhur me aktivitetet e realizuara nga kjo Ministri për periudhën janar – qershor 2022.
“Tani u informova që Ministria e Mbrojtjes, përkatësisht zyra për marrëdhenie me publikun, nuk iu është përgjigjur pyetjeve të drejtuara nga organizata FOL, lidhur me realizimin e planit të punës në Ministrinë e Mbrojtjes. Kjo gjë është e pa pranueshme dhe në kundërshtim me praktikat e transparencës dhe llogaridhënies që i kemi instaluar që nga ardhja në qeverisje. Menjëherë kam kërkuar nga Sekretari i Përgjithshëm që kjo çështje të trajtohet, të verifikohet fillimisht a janë përcjellur pyetjet te zyra jonë e mediave, pastaj të ndërmirren masa përkitazi me përgjegjësitë që i takojnë”, shkroi Mehaj.
Kujtojmë, në publikimin e Lëvizjes FOL thuhet se “Ministria Mbrojtjes – në kuadër të Planit Strategjik Operacional për periudhën janar – qershor 2022, ka paraparë të realizoj 14 aktivitete, mirëpo nga kjo ministri s’kemi marrë përgjigje se sa janë realizuar këto aktivitete”./21Media