Administrata amerikane beson se sulmi me dron në Kremlin në fillim të majit u krye nga agjencia e inteligjencës ukrainase, raportoi “New York Times” duke cituar burime.
Sipas gazetës së Nju Jorkut, “agjencitë e inteligjencës amerikane nuk e dinë se cila njësi e kreu sulmin”, dhe nuk është e qartë nëse presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ishte në dijeni të operacionit, njoftuan agjencitë.
New York Times deklaroi se “disa zyrtarë amerikanë fillimisht menduan se sulmi ishte organizuar nga qeveria ruse”, por se pas sulmit “SHBA-të përgjuan një bisedë në të cilën zyrtarët rusë u dëgjuan duke folur për hetimin paraprak të Moskës për sulmin”, transmeton Fol Drejt.