Administrata e presidentit amerikan Joe Biden javën e ardhshme do t’i japë fund kërkesave për vërtetimin e vaksinimeve kundër Covid-19 për punonjësit federalë, kontraktorët dhe udhëtarët e huaj, shkruan Klix, përcjell Fol Drejt.
Shtëpia e Bardhë tha në një deklaratë të hënën se kërkesat për vaksinën nuk do të kërkohen duke filluar nga 11 maji, në të njëjtën ditë kur skadon urgjenca e shëndetit publik për shkak të Covid.
“Megjithëse vaksinimi mbetet një nga mjetet më të rëndësishme në përmirësimin e shëndetit dhe sigurisë së punonjësve dhe promovimin e efikasitetit në vendin e punës, ne jemi tani në fazën e dytë të reagimit tonë kur këto masa nuk janë më të nevojshme”, tha Shtëpia e Bardhë.
Megjithëse pacientët e infektuar me Covid, shtrimet në spital dhe vdekjet kanë rënë në mënyrë drastike këtë vit, afër 1000 vdekje në javë janë ende të lidhura me koronën.
Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore do të fillojë gjithashtu heqjen graduale të kërkesave të certifikimit të vaksinimit për institucionet e kujdesit shëndetësor që marrin pjesë në Medicare dhe Medicaid, tha Shtëpia e Bardhë. Përveç kësaj, do të eliminojë kërkesat e vaksinimit për programet Head Start.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare do të heqë dorë nga kërkesat e vaksinimit për njerëzit që hyjnë në ShBA përmes kufijve tokësorë kanadezë dhe meksikan. Qytetarët amerikanë dhe banorët e përhershëm nuk u janë nënshtruar kurrë këtyre kërkesave.
Administrata e Biden zbatoi kërkesat e vaksinave për punonjësit e kujdesit shëndetësor, punonjësit federalë, kontraktorët dhe të huajt si pjesë e përpjekjes së saj për të rritur normat e dobëta të vaksinimit dhe për të ngadalësuar përhapjen e virusit pasi varianti delta u përhap në fund të 2021 dhe u pasua nga omicron në dimër të vitit 2022. /FolDrejt/