Dy imazhe gati të njehsueshme, pra deri diku dhe paralele. Charles Baudelaire dhe Migjeni. I pari tek proza poetike “Loloja dhe Venera”:
Rrëzë një statuje të një Venere kolosale, një nga ato lolot e rremë, një nga ata bufonët që e kanë për detyrë t’i bëjnë të qeshin mbretërit, kur u qepen keq Brerja në ndërgjegje, apo Mërzia, i pispillosur me ngjyra të ndezura, por edhe qesharak, që ka mbi kokë një kapele me brirë dhe me zilka, i mbledhur kruspull para piedestalit, i ngre sytë e mbushur drejt Hyjneshës së pavdekshme të Dashurisë dhe të Bukurisë.
Sytë e Lolos thonë:
– Jam qenia njerëzore më e fundit dhe më e vetmuar, e mbetur pa dashuri, pa miqësi, madje qëndroj më poshtë sesa kafsha më e pazhvilluar. Megjithatë edhe unë jam krijuar për të kuptuar dhe për ta ndjerë Bukurinë e pavdekshme!
Ah, Hyjneshë, vere dorën në zemër për trishtimin dhe për ankthin tim!
Por zemërgurta Venerë, indiferente, me sytë e saj prej mermeri s’dëgjon asgjë dhe nuk dihet se çfarë shikon në largësi.”
Kjo prozë u botua në 1857.
Më 1934 Migjeni boton prozën shumë të çuditshme “Novelë mbi krizën”.
Përfytyron një vend pa koordinata gjeografike dhe kohore. E quan “Shteti X”. Ka trazira të llahtarshme midis të pasurve dhe të varfërve. Të papajtueshme!
Ah, Marksi! Por revolucioni mund të klonohet! Po si?
“Përpjekjet e shumta, me rryma të ndryshme, të kundërta, të bazueme në Ungjill, në humanitet, në instinkt, në violencë a në ndoj utopi tjetër nuk mund të bijshin aq shpejt në godi. Shkenca me karakter ekonomik, teknika, mekanika nuk u kqyrshin me sy të mirë në mbledhjet e Shtetit X, – arësyeja ishte se ato qenë një shkak i fortë i krizës së tashme, e cila, tashti, si një polip po thith e po shterr trutë e Parisë.
Poshtë e përpjetë, djathtas e majtas, në fund të fundit ra vendimi. U gjet një kompromis. O kompromis, fëmi bastard i të gjitha mbledhjevet! Të dalme dredhurake!
Vendimi i Parisë së Shtetit X ishte ky: me anë të artit të çdollojshëm të nënshtypen ndjenjat e të gjithë nënshtetasvet të Shtetit X, si të varfërvet ashtu dhe të pasurvet…
Për një kohë të shkurt shndroj faqen Shteti X. Arti i frymëzuem dhe i punuam pas recetave të Parisë, shndroi Shtetin X në një muzeum artistik. Ishte triumfi i recetës! Ose triumf i artit me qëllim! E qëllimi u mrrinte dalngadalë por me siguri.
Kurse shndrroi faqen Shteti X zunë të shndrrojnë trajtat dhe shpirti i nënshtetasve. Shpirti, dikur pëllumb, ishte bam skyfter, tash u ba prap pellumb.
Sidomos shumë kish bamë për çashtjen, skulptura. Veprat, që paraftyrojnë të gjitha dashuninat e botës, u gjindshin në çdo skaj, ku përparandej u mblidheshin lypsat për t’organizue shoqata vjedhcash dhe terrori. Ç’e ndryshim ideal!
Tash lypsat, të zbemë nga úja, me supa të mprehtë e kërçikë të ndytë përjashta, rrijnë në podium të monumentavet, dhe rrijnë pa bamë kurrfarë lëvizje kundërshtimi.
Aty rrijnë gjith’ ditën; kur vjen nata, futen nëpër zgavrrat e monumentavet dhe andrrojnë begatinë shpirtnore. E kur zbardh mëngjesi, një nga nji – porsi Sharl-Shaplini tragjiko-komik – çohen nga gjini i monumentavet, hapin gojën, shtrijnë duert’ e kambët, dhe ulen në podium për ta çue gjith’ ditën në enerci (inerci) të plogët.
As nuk hajnë, as nuk pijnë – ushqimi i tyne asht bukuria e monumentavet.”
Teksti i Baudelaire-it është një ftillesë. Statuja e Venerës dhe një Lolo përballë. Migjeni e ka lexuar. Padyshim. Kuptohet.
Migjeni imagjinon një utopi negative: Shtetin X. Përpara Zamjatinit, Orwell-it dhe Huxley-it. Një projekt si anti-projekt.
Paria e Shtetit X janë paradhoma për Qenien Supreme të Zamjatinit, të quajtur Benefektori, për Big Brother-in oruellian, apo për konvejerët fordistë të Huxley-it.
Lufta marksiste e klasave, dhuna (revolucioni), doktrinat ungjillore (teologjizmi shterp universal), loja e instinkteve (Frojdi) metaforizohen me ironi, si utopi.
Ah Utopitë e Mëdha! Ah ideologjitë e çmendura!
Nietzsche e mohoi Krishterimin për ta zëvendësuar me Estetikën shpëtimtare për njerëzimin. Kjo tezë e Nietzsche-s e entuziazmoi Migjenin, por në formën sëprapthi. Si kundërshtim perspektiv. Kjo zanafilloi Shtetin X.
Migjeni parandjeu artin doktrinar, ose doktrinën e artit totalitar. Kjo i çon në zgrip tmerrin dhe makthin! Ja çfarë zbuluesi faustian është Migjeni!
Loloja i Baudelaire-it i përgjërohet statujës së hyjneshës Venera (ideja se Bukuria dhe Dashuria e shpëtojnë botën) por Venera është boshësia e simbolit.
Migjeni e shfrytëzon këtë ikonografi. Ai shkruan:
“Derisa një ditë, në podium të një monumenti që parafytyron gruan me shtatzënë, një laps dhe nji lypse lindin nji djalë (Ma vonë legjenda theshte se u lind nga monumenti me shtatzanë).
Ky djalë është imazhi migjenian që shkatërron imazhin e Lolos së Baudelarie-it. Ai nuk lutet. Nuk përgjërohet. Ai u rrit nga urrejtja. Një mëngjes ky ikonoklast i shkatërroi tëra monumentet, artin e rremë muzeor të Shtetit X
Pra, vetë Shtetin X.
Pakufishmëria e këtij akti mendor (e ç’është revolucioni i dhunshëm?) nuk matet dot. Hitlerizmi i pllakatave. Zhdanovizmi i letërsisë. Analiza e Hanah Arendit për totalitarizmin. Shtetet totalitare qenë realë.
Shteti X migjenian dukej (ngjante) si hipotetik, (por jo si republika platoniane e kuajve të Jonotan Swiftit.)
Në Shtetin X nënshtetasit eksperimentalë (oh, ç’kavie laboratori!) “as nuk hajnë, as nuk pijnë – ushqim’ i tyne asht bukuria e monumentavet”
Deliri i Mallarme-së. Kulla e Fildishtë Utopia e Politikës si Utopia e Artit. Teksti i Migjenit është kaq i shkurtër. Njëkohësisht kaq i pafund! /Dita/