Fitim Dika
Si për rastësi, në ditën e 1 prillit dhe nga Çarshia e Shkupit, kandidati i vetëm shqiptar për president Blerim Reka e nisi fushatën me mbishkrimin “Ne i takojmë Perëndimit!”. Është paksa interesante pasi njëra nga partitë që mbështet Rekën, dikur (dhe mbase edhe sot) ka pasur ndikime nga Lindja, ose sëpaku nga vetë partia tjetër që e mbështet poashtu Rekën e ka akuzuar për lidhje me Lindjen, kurse, për hir të së vërtetës, Çarshia më shumë i ngjan Stambollit sesa cilitdo vend tjetër të Perëndimit. Pa asnjë keqkuptim, secila traditë ka bukurinë e saj, vetëm se problemi qëndron – që të dish ose sëpaku të mundohesh të jesh origjinal.
Oksidentalizmi te japonezët dhe rusët
Thuhet se Japonia duke qenë në ishull ka qenë mjaft e mbyllur ndaj çdo kulture të huaj, bile duke mos i toleruar të ankoroheshin edhe anijet me turistë nga bota e jashtme. Megjithatë, japonezët vijonin ti përkthenin librat perëndimorë në fushat e mjekësisë, jurispodencës dhe filozofisë. Çuditërisht, japonezët e njihnin Kantin përpara rusëve dhe turqve.
Ngaqë Japonia i njihte kaq mirë këto zhvillime, kur ata u hapën me të vërtetë me Perëndimin në shekullin e nëntëmbëdhjetë, ata mbi supe mbanin një trashëgimi të qartë kulturore; sa u takon traditave, në disa fusha të caktuara, japonezët nuk ishin aspak krenarë dhe këmbëngulës. Nga ana tjetër, patën edhe një tronditje që pësuan gjatë kohës kur tentuan të mos jenë origjinalë.
Dihet se ata nisën të ndryshonin veshjet kombëtare, bile, nga turpi se sytë i kishin të vegjël dhe të tërhequr, nisën edhe të kryenin operacione për t’i ndryshuar ato.
Tragjikomedia e rusëve
Rusia filloi të hapet ndaj Perëndimit ose më konkretisht të oksidentalizohet gjatë periudhës së Pjetrit të Madh, në disa raste quhet edhe Pjetri i Marrë. Gjatë një udhëtimi të tij në Hollandë sheh sesi shkencëtarët atje kishin arritur të kryejnë ekzaminime dhe përdorimit të anatomisë dhe kufomës së njeriut. Pjetri kërkoi që ta sjellë këtë proces edhe në Rusi. Atje kemi të bëjmë me një rast tragjikomik. Në atë kohë kufoma pritej në një vend të hapur dhe merrte erë. Ngaqë nuk përdorej fenoli (phenol). Cari ishte shumë i zemëruar me njerëzit që qëndronin pranë kufomës, ngaqë ata e mbanin hundën me dorë nga era e kufomës dhe në atë kohë u pati thënë atyre: “Ky njeri i ditur po pret kufomën këtu. Po ju kush jeni që mbani hundën me dorë!? Tani, uluni si njerëz dhe shihni procesin, përndryshe ju shqyej të gjithëve këtu.”
Mendohet se në shekullin e tetëmbëdhjetë anatomia në Rusi sapo kishte filluar të studiohej.
Morali i rrëfimit: është mirë që të jesh më origjinal, pavarësisht se je komb i vogël dhe çdoherë duhet të mbahesh me më të fortin. Njëherë me Perandorinë Osmane, më pas me Jugosllavinë e Titos (1944-1948), më pas me Stalinin dhe Bashkimin Sovjetik (1948-1958), me Kinën e Mao Ce Tunit (nga fillimi i vitave 60-ta deri 1978) dhe më pas drejt një oksidentalizmi, ku fshatarët: drenicaku Hashim Thaçi dhe tropojani Sali Berisha janë të gatshëm të dalin nëpër paradat me ngjyrën e ylberit./Foldrejt.com