Dita e vdekjes për 17 veta. Plagë të reja që hapen, lotë që po derdhen… Ngjajmë me gjethet e pemëve që era i lëkund. Një nga një bien dhe ikin. Një nga një po na lënë. Kënga e vdekjes u përhap kudo dhe po hyn shtëpi më shtëpi…
Prill 1945. Tirana ishte kthyer e gjitha në një gjykatore publike. Artopalantët përcillnin me zë të lartë gjithçka ndodhte brenda një salle të improvizuar gjyqi në qendër të kryeqytetit, në një godinë që deri atëherë ishte përdorur si kinema dhe vite më vonë do të shërbente si Teatri Kombëtar. Po ‘luhej’ në publik, tragjedia e parë që paralajmëronte stinën e gjatë të krimeve komuniste.
Në atë sallë po mbahej Gjyqi Special, ku akuzopheshin mbi 50 persona si kriminelë luftë. Pjesa dërrmuese e tyre nuk kishin pasur asnjë aktivitet të drejtpërdrejtë në luftë dhe as në politikë gjatë Luftës. Ata ishin njerëz të spikatur në fushat e tyre, por ishin në një front që binte ndesh me çdo program a plan të regjimit të ri, të sapo instaluar komunist.
Në kryeqytet, ishte parë shpesh, ato muaj të parë të 1945, e veshur me të zeza e një tis dhimbje e trishtimi që nuk do ti hiqej më kurrë nga portreti, Musine Kokalari.
Kishte plot 5 muaj që qante dy vëllezërit e saj Muntazin dhe Vesimi, të cilët ishin marrë forcërisht me 12 nëntor 1944, nga shtëpitë e tyre dhe ishin ekzekutuar nga partizanët, duke i lënë trupat e tyre për disa ditë në bodrumet e Hotelit Bristol.
Por ndërsa mbante zi për vëllëzërit e saj të pushkatuar, e njëkohësisht ishte vënë nën survejimin e rreptë të regjimit, Musineja shënon në ditarin e saj ngjarjen e rëndë të pushkatimit të 17 intelektualëve të dënuar me vdekje nga ai Gjyq Special, që e kishte kthyer kryeqytetin në një arenë të hapur krimi.
14 prilli i 1945-ës ishte ditë e shtunë. Atë ditë Musineja shkruante:
“E shtunë. Dita e vdekjes për 17 veta. Plagë të reja që hapen, lotë që po derdhen. Lotë mjerimi që s’kanë të pushuar. Sa plagë të reja, të tjera, do hapen dhe që s’lënë as të vjetrat të mbyllen. Hieja e vdekjes mbulon qytetin. Dridhma shkojnë në trup të çdo njeriut. Ngjajmë me gjethet e pemëve që era i lëkund. Një nga një bien dhe ikin. Një nga një po na lënë. Kënga e vdekjes u përhap kudo dhe po hyn shtëpi më shtëpi. Ka më tepër se një mot që ka nisur me të madhe dhe nuk dihet se ku do të vejë dhe kur do të mbarojë. Pse heshtin njerëzia? Pse nxijnë rrugët e Tiranës? Mos vallë zemëra ime e zezë që kullon gjak e sheh kështu? Pse shtëpia më duket e ftohtë dhe çdo gjë pa shpirt. Fytyrat tona çdo ditë kanë nga një rrudhë më tepër, se plaga e shpirtit çdo ditë ftohet dhe kështu dhembja s’dëgjohet shumë…..”
Por viti 1945, dhe ngjarjet që ai mbarsi në historinë e Shqipërisë, do të ishte vetëm prologu i vuajtjeve të Musine Kokalarit, e cila veç dhimbjeve shpirtërore së afërmi do të niste edhe një kalvar të gjatë e të vështirë vuajtjesh fizike.
Ajo arrestohet me 17 janar 1946 dhe prej atëherë e deri sa mbylli sytë përgjithmonë do e kalonte jetën nën një persekutim të paprecedentë./Kujto.al/