Kur kritikët e kanë përkufizuar letërsinë si art të fjalës së shkruar, padyshim që përballë kanë pasur fjalë që kanë qenë estetikë për sy, ndjenjë për zemër e mahnitje për mendje. Prirja e letërsisë që përmes teorisë, kritikës e historisë tua gjejë një vend shkrimtarëve e shkrimeve të tyre në shtresim rrymash, vlerash e periodash, nuk është përherë e nevojshme. Nuk është domosdoshmëri… Mënyra e përjetimit është e ndryshme dhe opti i përceptimit nuk është i njëjtë.
Nga Flamur Foniqi
Këtu del në pah ana e fuqishme e shkrimit, guximi për të qenë pasurim letrar e prurje me vlerë. E sidomos cytja për të krijuar neo-elementin e neo-motivin në një krijimtari letrare. Them që i kam fushuar mjaftueshëm sytë nëpër shkrime, sa për të thënë e për të krijuar bindjen që këto tregime peshojnë mbi vete një topikë që është manifest i kohës. Shkrimtarët dhe shkrimet e tyre dalin si nevojë e kohës. Të paktën ata që kanë një sy në lexim dhe një në realitet e gatuajnë një pajtueshmëri të fuqishme me këtë që them. Për shkrimin, nuk ka pararojë më të mirë se vlera. Shkrimet e veshura me vlerë, gëzojnë mburojë për sulmin e kohës e të harresës. Përparim Blakajn e njohim përmes një shtegtimi e një realiteti. Pra, me “Përtej syve” dhe “Çdo gjë e mirë e ka një fund”.
Autor që e ka krijuar poezinë e mirëfilltë. Poezinë që lexohet këndshëm e shfletohet shpejt, jo për ta kapërcyer, por për ta gjetur simotrën e saj të mahnitshme. Me ngjanë me atë autorin që nuk e duron bardhësinë e letrës kur shkruan poezi, atë pjesën e mbetur bosh e të cilën kërkon që doemos ta mbërthejë me germa. Dhe ja na e solli, përmbledhjen e tij të njomë e të freskët “Nga muret e Stambollit”. Rrëfenjat e hedhura brenda këtij libri nuk janë të pavarura. Janë krijime që kanë si emër një arsye dhe si trup nevojën për tu shkruar. Me pak fjalë, në domenin e tyre ngre krye një shkak. Tregime që nuk mund të lexohen e të vlerësohen ndaras prej retrospektivës e prej aktualitetit. Bollëku i librit na flet për një odisejadë të bollshme. Gjë e mjaftueshme kjo sa për të shkëputur motive e për t’i shndërruar në lajtmotiv.
Janë të vyeshme veprat që shpërthejnë për nga serioziteti, që kritikojnë hollë e që moralizojnë në fund. E në këtë nomenklaturë shkrimi, bindshëm e zëshëm zë vend edhe kjo vepër. Pak fjalë për tregimet e rrëfenjat që e shquajnë këtë përmbledhje. “Fëmijëria ime rrethuar me blloka të kuq”.- Kthim prapa, i qëllimshëm për të gjetur e për të vënë në spikamë lavdet e kohës e çastin e trishtë si simbiozë. Gjuha figurative, kjo armë e fuqishme e autorëve për të vënë zërin e zgjimit në kureshtjen e lexuesit. Fëmijëria si stad jetësor, i ëmbël në paramendim por jo gjithmonë edhe në jetësim. E shoqëruar më çaste kur e pakta vlerësohej e duhej, ku ëndrra përplasej në hapje sysh, ku lumturia e njërit kishte autor tjetrin. Shtresim kohor në të cilin varfëria ishte strehë e lufta rrebesh që pikon. “Blloka të kuq”, e kuqja si simbol-antagonist i lirisë, i kufizimit, i përgjakjes e prangosjes.
Fëmijëri në mbytje, me pak lojë. E ndarë mes çastesh të lumtura e të trishta. Fëmijëria me kryelojë mbijetesën. “Pse” – Pjesa ku shpërthen vrullshëm një botë e brendshme e autorit. Përshkrim shpirtëror e racional i një segmenti jetësor që flet shumë për autorin e jetën e tij në tërësi, pra për shkrimin si veprimtari e ngjyer në katarsis. Që ka një lidhshmëri mes tij dhe shkrimit, na e vë në pah e në lexim një shprehje të fuqishme lyer me përqasim “Digjem për poezinë, si Mexhnuni për Lejlën”. Mes të tjerash, na flet për emocionet, ëndrrat, diturinë si vlerë, madhështinë e të qenit i vetëm në jetesë e mbijetesë, për sfidat e kapërcimin e tyre duke vënë luftë të brendshmen si ilaç, për humbjet e fronteve që kanë urrejtje, për luftën karshi injorancës e shumë gjëra të tjera.
“Zoti”- ” Kam takuar shumë, por kam njohur vetëm Një. Ai pa mua është Zot, unë pa të s’jam asgjë”. E parë diku në muret e Stambollit dhe e hedhur veçantë nga autori, për të paralajmëruar saktë atë së për ç’vlerë na flet në rreshtat e kësaj pjese. Nuk ka dyshim që qasjen e tij shkrimore do ta hovte fuqishëm bindja për ta njohur Zotin, për ta adhuruar e lartësuar, për të qenë nën hijet e madhështisë së tij. Për ta pasur qetësinë, vullnetin e bindjen ndaj tij. Një revoltë shpirtërore e kryengritëse, ndaj njerëzve që shohin e ndjejnë tapi mbi gjërat e kësaj bote, që u përulen idhujve, që kanë si emër pushtetin e interesin, njerëzve që u japin jargë kërmijve, ndaj gjithë atyre që jetojnë si puthadorë, ndaj atyre që nuk e njohin të Plotfuqishmin. Një qasje me ngjyra panteizmi, për të vënë në dritë e në njohje, që çdo e mirë shpirtërore e materiale, e natyrshme dhe e krijuar, ka një dorë qe nuk e kemi prekur e parë. Sepse që në zgjim ne rrekemi pas jobesimtarëve, pas dokrrave, pas devijimit, pas fjalëve që janë ‘moh’ i së vërtetës, pas keqinformimit, pas kinse revolucioneve. “Njeriu është kaq i vogël, e kaq krenar” – thotë autori, qenie që krekoset pas diturisë me hapa të ngutshëm, qenie që s’vë dallim mes lirisë e burgut. Është mirë t’i falim revolucion botës sonë të brendshme, ta gjejmë rrugën që shpie në dritë e shpëtim, pa pasur si shoqërues -izmat që tallin mendjen e vetëdijen.
Ky jam unë, po ti si më njeh”- pjesë e ndërtuar nën thirrmën e njerëzores. Njerëzorja si rrobë e hijshme, si gatim me vlerë mes urrejtjeve. Flet për tjetërsimin e qenies, pësimet që e flakin tutje pastërtinë e bukurinë e saj. “Madhëruar qoftë Zoti, sa bukur e krijoi njeriun, e sa i keq u bëhet ai”, shprehje që tingëllon fuqishëm e që mbahet brenda një realiteti të trishtë. Është akt shëmtues të jesh e të mbijetosh mbi kurrizin e të tjerëve, të jesh parazit e të mbijetosh me dinakëri. Të jesh dashës i agut më shumë se i muzgut, të jesh mbërritës e jo i paudhë, të jesh i ndritshëm për nga fytyra e t’i flakësh maskat. Të kesh moral e emër, dinjitet e intelekt, sepse në të kundërten do të jesh “i dalëboje”. Është më me vlerë ëndrra e lirisë sesa një çeli diamanti. Njerëzorja nuk mbahet në tituj, në famë e në pushtet.
“Vetmia”- Në shumë hera vetmia është gjendje prej ku çuditërisht rilindin fuqitë. Fuqitë për të qenë, për të bërë e për të vazhduar. Në këtë rrëfenjë autori flet me një tonalitet shpotitës, për ta ngritur në normë serioziteti brengën e tij. Vetmia, një ndjesi kryeneçe që na vardiset shpesh e pa dashje, që thyen porta pa lënë trokitje. Ikja e të tjerëve nuk është domosdo shuarje e qenies tënde. Ka diku si mbetje ca copëza karakteri e identiteti që mbesin të pathyeshme. Copëza që në bashkim krijojnë mozaik të mahnitshëm krenarie, që nuk shiten e nuk vihen nën shputë. Qenia e vërtetë jeton e zhurmon edhe pa qenë pjesë e ahengut politik, edhe pa u parë në kamera padronësh, edhe pa u ngopur në sofra qeveritarësh. Sepse vlera ime, e jotja dhe e tjetrit, nuk ka njësi matëse fjalën e tjetrit. Fjalë që ku ta di nga ç’gjuhë buron… Në këtë natyrë reagimi e hetojmë edhe shkrimin tjetër titulluar “Lodhur nga pritjet”. Thënë e parë figurativisht, shihet e tingëllon si një luftë shpallur përditshmërisë. Lodhjeve që burojnë keqas, në një mes ku mosmirënjohja rron e urrejtja përvëlon. E zgjedhur qëllimshëm kjo, sepse i moralshmi e i pamoralshmi, i dituri e injoranti, nuk kanë një rrugë për ta ndarë.
“Prof. Dr. Askush Kërkushi”- si pjesë më la në gjurmim diku në një vlerë të njohur të letërsisë sonë. Më ngjau me Konicën, me një përtërije letrare që e hedhur përherë tej pluhurin e kohës. Një analogji mbase të përafërt me personazhet e tij në Dr. Gjilpëra. Për t’i vënë në lojë titujt e emrat e për t’i luftuar me rolin e tyre të vërtetë. Ka një thirrmë ky grumbull rreshtat, një kryerresht të themi. Ji vetvetja! Të jesh vetvetja e të rrosh pranë vetës, është parim i lartë jetësor. Mund të jesh shitës i suksesshëm kopallash, mund edhe të jesh i rënduar me tituj, të propagandosh, mirëpo është e udhës që ta dim se ” një emër në lindje ta kanë vënë e atë emër në vdekje do ta lënë”. Një vistër shkrimesh tjera mund të kornizohen si topikë e ngjashme. Jo për nga shtrirja e struktura, mirëpo për nga ajo së për ç’kohë e ç’realitet flasin.
“Baba pse po i vrasin gratë”, “A na duhen burrat realisht”, “Republika pa gazeta”, “Darkë me helm”, janë trajtesa dromcat e së cilave janë të zhurmshme e jetësohen si çdoditshmëri.
Bëhemi pak pjesë e realitetit tonë shoqëror dhe do ta kuptojmë që vrasja e grave është kryelajm në çdo gjë që lexohet e dëgjohet. Me trajtimin e kësaj problematike, autori dëshmon rreshtimin e tij, në anën e atyre që nuk mjaftohet me ca britma kundër aktit, akt që në pak kohë mbulohet nga një akt tjetër. Autori me qëllim vë një dukuri si kjo në vepër, sepse shqetësimet e mëdha kërkojnë vetëdije të lartë morale e reformë që masivizohet për të mirë. Autori vë në spikamë të vërtetën tonë të pahijshme, drejtësinë e dështuar e ndërgjegjen e vrarë prej kohësh. Po, jemi vrasës- thotë autori. E mbase do të vazhdojmë të jemi, sepse kënaqemi me ca thurje shfajësimi duke mos ditur që fjalimet tona nuk i lexojnë dhunuesit e poezitë tona nuk u pëlqejnë kriminelëve.
Mirëpo në një shoqëri jo të gjithë burrat janë vrasës. Autori ka ndarë rreshta të vyeshëm për ta përcaktuar saktë rolin e rëndësishëm e të njëmend që mund ta kenë burrat. Por, cilët burra? Ata që janë besnikë, të drejtë , bujarë e të ditur – thotë autori. Për ta matur realisht rolin e tyre si formacion shoqëror, si shtyllë e familjes, si fuqi e si edukues, si paraardhës të denjë për fëmijët, autori diku në trajtesë përmend mbitokën e nëntokën si terminologji. Sepse për të qenë shembull e emër i lakuar për të mirë, mbase kalon e përjeton shumë, të ngjiten mbi e të nënshtrojnë, por ti sakrifikon çdo gjë deri në vetëmohim, vritesh burrërisht e vdes ndershmerisht, bëhesh nëntokë por zulmëmadh për mbitokë. Por, ç’nënkupton shkrimtari me një “Republikë pa gazeta”? Këtu kemi qëllim autorial që gjënë e vënë në shikim ta bëjë të lexueshme. Kësisoj ne e ngurosim një shqetësim që është epitet negativ për shoqërinë tonë sot. Për ta vizualizuar para çdo lexuesi një gjendje që është jetesë e përditshmëri e tyre. Sa ngjashëm për nga thurja me titullin e Kadresë “Qyteti pa reklama”, mirëpo jo. Na e dëshmon brendësia që nuk kanë konotacion të përkueshëm. Ka një “hall” tjetër autori. Zhvillimi kaotik e dinamik i shoqërive di të mashtrojë e të shumëzojë rrugët e devijimit. Sidomos kur secili prej nesh i ka të njohura pikësynimet e një bote që ka në petkun e saj përfitimin si emër.
Mirëpo ajo çfarë mbetet e paprekshme për ne sipas autorit është një shoqëri shembull e së cilës mund t’i atribuosh vlera. Në shoqëritë e mirë ndërtuara, mjetet e informimit kanë rëndësi jetike për masën. Keqinformimi është bërë trend e është familjarizuar padashje me ne. Sepse në shoqërinë tonë bëhet lojë me emrin, nderin e identitetin e tjetrit, sepse elementet e njerëzores vihen në lojë për tu materializuar e monetizuar. Po e citoj autorin, i cili me plot të drejtë shprehet: “gazeta xhepi- që ose janë të shtypura ose shtypin të tjerët.”
“Darkë me helm”- interesante që në titull. “Sikur Paneski ta kishte pikturauar shpirtin tonë, frikësohem se do të ishte tronditur nga kaosi i tij”. Them që autori përsiat shpesh pas jetës shpirtërore. E tërë kjo për ta bërë të dukshme atë se çfarë na shquan neve si njerëz. Për të na e bërë të njohur që njerëzit janë krijuar për të qenë të njëjtë e të barabartë. Për ta zhbërë rëndësinë e nacionalitetit e racës mbi ta. Për ta dëshmuar lirinë e çdonjërit në predikim e në lutje, për ta bërë të ditur që një Zot e një qiell është për të gjithë. Figurativisht thirrje për kultivim të tolerancës e unitetit mes njerëzve. Sepse nuk është i huaj ai që ha me ty në tryezë e që flet ëmbël në llafosje. Bukur e vënë edhe nga autori, që flakë tutje pengesat e inatet, urrejtjet e sharjet, fyerjet e mallkimet, në një darkë ku ushqehet një shqiptar, një rus, dy arabë, një anglez, tre kurdë, një boshnjak. Bota është e të gjithëve, pa dallim.
“Njerëz të mençur, njerëz të pikëlluar”, “Me mund, djersë e gjak”, “Sa turp është të jesh i turpshëm”, janë përmbajtje tjera që kanë në domen diçka me vlerë e të dashur.
Nuk janë të rralla herët ku shkrimi është shfryrje e fuqishme mllefi e davaritje e brengave që rëndojnë. Mençuria është virtyt i lartë njerëzor, që nuk zhbëhet nga sulmet e panumërta të injorantëve. Është aset e element me vlerë në kuadër të identitetit e qenësisë sonë.
Nëse e gjykojmë mbi bazën e realitetit tonë të përditshëm, padrejtësia e hiçi janë sulmet më të rënda mbi të. Sepse njerëzit e mençur e kanë të shprehur një karakteristikë, nuk zgjedhin të lëpijnë këpucë e të ndjekin pazare nate. Zgjedhin të jenë edhe të pikëlluar, edhe aty ku injoranca lëvdohet me superlativa. Pikëllohen, por nuk pranojnë shtizë mbi sedër. Sepse jetohet disi, sepse jetën nuk na e kanë dhënë njerëzit. Kush më hijshëm rri në piedestal se një qenie humane që rron me mund, djersë e gjak, pa u servilosur e shitur.
Po, sa është turp të jesh i turpshëm sipas Blakajt? Turpi është gjë që nuk vlerësohet më, sepse të turpëruarit cilësohen si të marrë e të vdekur. Nuk ka turp, sepse ne jemi përtej tij. Sepse jetojmë në lavde kohe e mallëngjehemi, bie fjala rrim duarkryq e na bie mall për atdhe, mallëngjehemi për tokën, për të kaluarën, për sofrat e varura në mur, për Palestinën, Mekën tonë, Adem Jasharët tonë…shprehet autori.
“Kurdi” e “Tregu, ku shitet Krishti”, dy rrëfenja tjera që rrëfejnë shumë. Flasin për një realitet të brishtë që sa vjen e brishtësohet dhe më shumë. Në të vërtetë, në njërin ngre krye padrejtësia e në tjetrin ngre krye një satirë që përthekon një të vërtetë të trishtë. “I dashur, i vyer, i urtë e i thyer”, këto janë epitetet që shënon autori për një kurd, i cili u bën ballë refuzimeve, krajatave të vështira, orekstrimeve politike, qenia që u bën ballë zërave e duarve shtypëse të botës. Për botën, i dashur e i vyer, por kurd… Satira është gjë e shpeshtë në këtë vepër artistike, qe vë fuqi mbi shumicën e shkrimeve të këtij autori. Me “Tregu, ku shitet Krishti” autori apostrofon një dukuri të shëmtuar që e shquan botën sot. Tendenca për të vënë anatemim mbi fenë, për ta shitur e për ta shndërruar në mjet prej ku përftohet e jetohet pandershëm. Por jo, ka shumë tregime të këtij autori që u kundërvihen paqtë e bukur këtyre misioneve, sepse ka njerëz që në udhën e Zotit nuk u janë përzier hapat.
Ka dhe pjesë ku shquhet qartë e kuptueshëm motivi familjar si shtysë për tu falur jetë letrave.
“Buka e nanës” e “Djersa e babës”, shkrime këto për dy qenie, fryt i të cilëve jemi të gjithë ne. “Ata që kanë pirë qumështin e nënës, e dinë shijen e jetës” …por nuk ka dallim në këtë dashuri, sepse: “Ata që kanë parë e prekur djersën e babës, e dinë shijen e jetës”. Mbase janë dashuri, të cilat në mosvënie si emra në këtë libër, do ta linin të mangët librin.
“Kur varrosim të dashurit tanë”- është krijim-dedikim, për të cilin jam bindur duke e njohur jetën e autorit në disa rrethana. Shkrim që jetëson kujtimet e tij për shokun e ndjerë, për shokun e studimeve, për shokun e konvikteve, për shokun e udhëve, për shokun e jetës. Vdekja është akt i ftohtë, e jona është ta ngrohim me kujtime.
I kam lënë qëllimshëm dhe me pak fjalë për to, dy tregimet: “Nga muret e Stambollit” dhe
“Kjo është hakmarrja ime”. Këtu ka personazhe më të shprehura, që vihen në veprim e janë bartës të ngjarjeve. I pari na e vë në pah Burakun, një fëmijë që është kryeneç ndaj ëndrrave dhe ndjekjes së tyre, fëmijë që kërkon ta ndërtoj botën pa dorën e tjetrit në të, fëmijë që kërkon ta lexoj poetin e tij të preferuar ( Nazim Hikmetin), që lufton ta ketë mendimin e tij, që nuk zhbëhet e humbet nga askush… Tregim interesant, i bollshëm e karakteristik, me pak fjalë meritor për tu vënë edhe si titull mbi vepër. I dyti, një histori tjetër interesante e që ngjallë kërshëri për lexim.
Histori mes Kenanit dhe babait të tij Omerit. Një histori ritakimi, me shumë kohë në mes, që rrjedhë si pasojë e rrethanave interesante, rreshta që fitojnë pushtet mbi lexuesin dhe e mbajnë gjer në fund, gjer në pikën e fundit. Ky është Përparim Blakaj e ky është tregimi i tij. Të paktë zërat e mi mbi këtë vepër me vlerë, mbi këtë prurje që mbase është trokimë e re në portat e letërsisë.
Analizë e cekët në një thellësi të rrallë shkrimore. Letërsia i mbijeton kohës, sepse di të jetë mbi e përtej kohës. Autorët që ia thonë asaj, janë mbi e përtej kohës. E shumta më takon e ju takon akoma, pasi ta lexoni kujdesshëm e ëmbël. Me shpresën që fjala juaj të bashkëjetojë me atë që thashë unë. Me të vërtetë qe një punë e këndshme recensimi mbi këtë vepër, sepse vepra qe e këndshme.
Përgëzime autorit e qoftë dorë e përhershme mbi letrat.
Tutje e tehu, qoftë faqebardhë autori, libri e librat që do të vijnë!