Sot, Policia e Kosovës (PK), me rastin e ditës memoriale të policëve të rënë në kryerje të detyrës, do të organizojë ceremoni përkujtimore në shenjë nderimi dhe përkujtimi për heronjtë e Kosovës, transmeton Fol Drejt.
Me këtë rast, në kampin “Belvedere” në Mitrovicë Jugu, do të zbulohet pllaka me emërtimin e ri të këtij kampi, e që do të mbajë emrin e policit hero Enver Zymberi, i cili u vra nga strukturat ilegale serbe gjatë aksionit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës për t’i futur nën kontroll pikat kufitare në veri të Kosovës, Jarinje dhe Bërnjak.
Në këtë ceremoni pritet të marrin pjesë personalitetet më të larta shtetërore, përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare, familjarë të policëve të rënë kryerje të detyrës si dhe menaxhmenti i Policisë së Kosovës.
Në orën 16:00 do të bëhen homazhe të personaliteteve pranë lapidarit në Prishtinë, ndërkaq në orën 17:00, do të mbahet ceremonia përkujtimore dhe do të bëhet zbulimi i pllakës në kampin Belvedere ne Mitrovicën e Jugut.