Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Abdurrahman Dibrës me origjinë nga Dibra e Madhe, i cili pasi u diplomua me rezultate të larta për Shkencat Politike në kryeqëndrën e perandorisë osmane, me dekret të Sulltanit u emërua si nënprefekt i Stambollit, duke shërbyer në atë detyrë të lartë deri në vitin 1921, kur iu përgjigj thirrjes së Zogut për t’u kthyer dhe për të dhënë kontributin e tij në Shqipëri.
Karriera e gjatë politike e Abdurrahman Dibrës duke filluar nga deputet i Dibrës së Madhe që në zgjedhjet e para të parlamentit shqiptar në pranverën e vitit 1921, e deri në 1939-ën, për 19 vjet, gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, ai shërbeu si ministër në disa kabinete qeveritare, duke drejtuar digasteret e Punëve të Brendëshme, të Kulturës dhe atë të Financave.
Tërheqja e Abdurrahman Dibrës nga skena politike pas 7 prillit të vitit 1939, kur Italia kreu agresionin fashist ndaj Shqipërisë dhe mos pranimi për të shkuar në Itali me delegacionin që i dërgoi Kurorën e Skënderbeut, Mbretit Viktor Emanueli i Tretë.
Ndonëse babai im Abdurrahman Dibra kishte qenë nëprefekt i Stambollit dhe ka shërbyer për 19-vjet si ministër e deputet gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, me ardhjen e komunistëve në pushtet në fundin e vitit 1944, ai nuk pati asnjë problem prej tyre, peripecitë e familjes sonë filluan pas arrestimit të vëllait tonë të madh, Qenanit, që ishte diplomuar për Drejtësi në Paris dhe në një nga akademitë ushtarake të Italisë. Pas arrestimit të Qenanit, na nxorrën nga shtëpia në rrugën e Saraçëve dhe na sekuestruan gjithçka, na lanë në mes të rrugës duke na thënë të shkonim ku të donim. Më 17 qershor të vitit 1946, Qenanin e nxorrën para Gjyqit Ushtarak në Tiranë së bashku me 37 të pandehur të tjerë dhe ai u dënua me vdekje, i akuzuar si: kryetar i grupit “Monarkist”, i cili së bashku me grupimin “Social-demokrat”, të kryesuar prej Musine Kokalarit dhe atë të “Rezistencës” të kryesuar prej Sami Qeribashit, ishin bashkuar dhe kishin formuar grupimin opozitar antikomunist të quajtur “Bashkimi Demokrat” që udhëhiqej prej Sami Qeribashit”. Kështu e kujton Urhan Dibra për Memorie.al, historinë e babait të tij Abdurrahman Dibrës, ish-nënprefektit të Stambollit që pasi shërbeu për 19-vjet si deputet e Ministër i Brendshëm, i Finanacave dhe i Kulturës në periudhën e Monarkisë së Zogut, u burgos dhjetë vjet prej komunistëve. Po kështu në rrëfimin e tij, Urhan Dibra tregon edhe për historinë tragjike të vëllait tij të madh Qenan Dibrës, të diplomuar në Paris e Romë, i cili u dënua me vdekje nga komunistët në vitin 1946, pasi u akuzua si kryetar i një grupimi opozitar antikomunist të quajtur “Grupi Monarkist”. Cili ishte Abadurrahman Dibra nga ç’familje rridhte ai, ku ishte shkolluar dhe si hyri në jetën politike shqiptare në vitin 1920-të? Cilat ishin marrdhëniet e tija me Ahmet Zogun dhe pse i qëndroi atij besnik për 19-vjet me duke shërbyer si deputet e Ministër? Cila ishte e kaluara e të birit të Abdurrahmanit, Qenanit, çfarë qëndrimi politik kishte mbajtur ai gjatë periudhës së Luftës? Cili ishte grupimi Monarkist që kryesonte Qenan Dibra, çfarë aktiviteti kishte kryer ai dhe cilat ishin lidhjet që ata kishin krijuar me grupimin Social-Demokrat të Musine Kokalarit dhe atë të Rezistencës të kryesuar prej Sami Qeribashit? Çfarë ndodhi me familjen e Qenan Dibrës pas ekzekutimit të tij në tre korrikun e vitit 1946 dhe cilat ishin pretekstet që përdorën komunistët për arrestimin e babait të tij, Abdurrahmanit në vitin 1951?
Abdurrahmani, nënprefekt në Stamboll
Abdurrahman Dibra u lind në vitin 1885 në qytetin e Dibrës së Madhe, ku babait të tij Elmaz Dibra, asokohe shërbente si arkëtar i Bashkisë. Nga tre djemtë e Elmaz Dibrës, vetëm i madhi Abdurrahmani, u bë i njohur për shkak të aktivitetit të tij politik, ndërsa dy të tjerët, Xhevdeti dhe Rahimi, patën një jetë krejt ndryshe nga ajo e vëllait të tyre. Rahimi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Manastirit dhe më pas shkoi në Stamboll ku ndoqi universitetin në degën e Shkencave Politike. Pas diplomimit, Rahimi punoi në Stamboll si gazetar dhe nuk u kthye më në Shqipëri. Ndryshe nga dy vëllezërit e tjerë që ndoqën studimet e larta, Xhevdeti nuk ishte i shkolluar dhe gjatë viteve të Monarkisë, ai shërbeu si xhandar i ndihmuar nga i vëllai Abdurrahimi që kishte funksione të larta shtetërore në atë kohë. Ndërsa lidhur me shkollimin e Abdurrahmanit dhe fillimin e karrierës së tij administrative e politike, i biri i tij Urhan Dibra dëshmon: “Pasi mbaroi shkollën fillore në vëndlindjen e tij Dibër, babai Abdurrahmani vazhdoi të mesmen në qytetin e Manastirit dhe më pas shkoi në kryeqëndrën e perandorisë osmane, për të ndjekur studimet e larta. Ai u regjistrua në degën e Shkencave Politike në Universitetin e Stambollit, të cilin e mbaroi me rezultate të larta në vitin 1908, duke marrë dhe “Medalje Ari” si një nga studentët më të mirë të asaj dege. Duke parë rezultatet e tij të larta, Porta e Lartë e emëroi atë në administratën vendore osmane dhe pas pak kohësh me dekret të Sulltanit, ai u emërua në postin e nënprefektit të Stambollit. Gjatë viteve që babai im Abdurrahmani ndoqi studimet e larta në Stamboll, ka qëndruar në një dhomë me djaloshin nga Mati, Ahmet Zogun, i cili ishte dhjetë vite më i ri se ai. Që nga ajo kohë babai lidhi një miqësi të ngushtë me Zogun, i cili në vitin 1920-të kur u emërua në postin e Ministrit të Brendshëm, i bëri thirrje Abdurrahmanit që të linte Stambollin dhe të kthehej në Shqipëri. Babai iu përgjigj pozitivisht ftesës së tij dhe në pranverën e vitit 1920, ai erdhi në Shqipëri e mori takim menjëherë me Zogun në Tiranë”, dëshmon i biri i Abdurrahmanit.
19-vjet deputet e Ministër i Zogut
Lidhur me kthimin e Abdurrahman Dibrës në Shqipëri dhe fillimin e karrierës së tij politike, i biri Urhani tregon: “Pas kthimit në Shqipëri dhe bisedimeve me Zogun, babai pranoi të integrohej në jetën politike të vëndit dhe në fillimin e vitit 1921, ai hodhi kandidaturën për deputet në Prefekturën e Dibrës së Madhe, ku bashkë me Ahmet Zogun fitoi të drejtën të ishte një nga përfaqësuesit e asaj Prefekture në Parlamentin e Parë shqiptar që i filloi punimet në 21 prill të atij viti. Në atë kohë përveç Ahmet Zogut, nga politikanët më të njohur babai kishte miqësi të ngushtë edhe me Myfid Libohovën, Ekrem Bej Vlorën, Koço Kotën e Iljaz Vrionin. Më 27 maj të vitit 1924, kryeministri Iljaz Vrioni e thirri babanë dhe i kërkoi që në kabinetin e kryesuar prej tij, ai të mbante portofolin e Ministrit të Brendshëm. Babai e pranoi postin ministror dhe në atë kabinet përveç tij merrin pjesë dhe Koço Kota si ministër i Punëve Botore, e Sulejman Delvina si ministër i Financave. Në këtë post ministror babai nuk qëndroi më shumë se dy javë, pasi në dhjetë qershor të vitit 1924, forcat opozitare që ishin grupuar rreth Fan Nolit e Luigj Gurakuqit, organizuan kryengritjen e armatosur dhe me forcën e armëve e rrëzuan qeverinë e Iljaz Vrionit ku babai mbante postin e ministrit të Brëndshëm. Me hyrjen e forcave rebele fanoliste në Tiranë, babai u detyrua dhe u largua nga kryeqyteti, pasi ai kërkohej prej tyre me çdo kusht për t’u eleminuar fizikisht, për vetë funksionin tepër delikat të Ministrit të Brendshëm që kishte mbajtur. Pas largimit nga Tirana, babai shkoi në Dibër të Madhe tek njerzit tanë. Gjatë asaj kohe që babai strehoej aty, Krajli i Serbisë, (Nikolla Pashiqi), duke pasur parasysh pozicionin që kishte Abdurrahmani në Qeverinë e Tiranës, i dërgoi atij ftesë dhe i kërkoi që të bashkëpunonte me të duke i ofruar edhe shuma të mëdha me para. Babai Abdurrahmani e refuzoi në mënyrë kategorike bashkëpunimin me Krajlin e Serbisë dhe për disa muaj qëndroi i fshehur, pasi e nuhati se kërkohej për t’u zhdukur nga shërbimet sekrete të Beogradit. Me rikthimin e Ahmet Zogut në pushtet në fundin e vitit 1924, babai u rikthye në Tiranë dhe u zgjodh përsëri si deputet i Dibrës së Madhe në zgjedhjet parlamentare që u zhvilluan në 27 maj të atij viti. Më 12 shkurt të vitit 1927, kryeministri Ahmet Zogu i besoi babait postin e ministrit të Brëndshëm, të cilin ai e ushtroi deri në 10 maj të vitit 1928. Në atë kohë që babai u emërua në postin e ministrit të Brendshëm, ashtu si të gjithë funksionarët e lartë të kabinetit qeveritar dhe deputetët e parlamentit, ai përfitoi me ligji një trullall në të cilin ndërtoi shtëpinë në rrugën e Saraçëve. Pas vitit 1928, babai Abdurrahman Dibra u emërua në funksionin e ministrit të Financave, post të cilin ai e mbajti deri në vitin 1936. Pas atij viti tim eti iu ngarkua edhe posti i ministrit të Arsimit, të cilin ai e mbajti deri në prillin e vitit 1939-të. Gjatë gjithë periudhës së Monarkisë, im at pati marëdhënie shumë të mira dhe korrekte me Ahmet Zogun, ai e ftonte në të gjitha ceremonitë e darkat e rrethit të ngushtë familjar. Po kështu një nga miqtë më të ngushtë të babait, ishte dhe profesor Aleksandër Xhuvani, të cilin ai e emëroi në funksionin e zv / ministrit të Arsimit, gjatë viteve që ai ishte në krye të atij dikasteri. Një nga kundërshtarët më të mëdhej që kishte im at, ishte Shefqet Vërlaci, me të cilin ai nuk e gjeti asnjëherë gjuhën e mirkuptimit. Gjatë karrierës së gjatë njëzet-vjeçare që babai pati si deputet dhe tre herë ministër, përveç orarit zyrtar që ai e kalonte duke punuar në zyrë, pjesën më të madhe të kohës ai e kalonte në shtëpi duke lexuar dhe studjuar mbi libra. Abdurrahmani kishte një memorje të mirë dhe falë saj, ai kishte mësuar disa gjuhë të huaja, si: tuqishten, anglishten, italishten dhe frengjishten”, kujton Urhan Dibra lidhur me karrierën politike dhe administrative të babait të tij, deri në vitin 1939.
Internohet nga Shefqet Vërlaci
Karriera politike e Abdurrahman Dibrës përfundoi më 7 prill të vitit 1939, ditën që Italia fashiste kreu agresionin ushtarak ndaj Shqipërisë. Ndërsa në mëngjesin e shtatë prillit Abdurrahmani nuk pranoi që të largohej nga Shqipëria së bashku me Mbretin Zog dhe një pjesë të Oborrit Mbretëror, ai nuk pranoi të merrte pjesë as në qeverinë shqiptare që u krijua ato ditë nën presionin e dhunën e italianëve. Ditët e para të prillit 1939, Abdurrahmani refuzoi kerkesën që i’u bë për të shkuar në Romë me delegacion e lartë shqiptar që do t’i çonte Kurorën e Skënderbeut, Mbretit të Italisë, Viktor Emanuelit të Tretë. Lidhur me këtë, i biri Urhani tregon: “Nisur nga bindjet politike antifashiste që kishte babai, si dhe refuzimi që i bëri ai kërkesës për të shkuar në Romë me delegacionin që çoi Kurorën e Skënderbeut tek Mbreti, Viktor Emanueli, në fillimin e vitit 1940-të, ai u internua nga autoritetet fashiste italiane në Itali. Pak kohë pas internimit të tij, me propozimin e Kryeministrit Shefqet Vërlaci me të cilin babai kishte pasur gjithmonë probleme, na u sekuestrua e gjithë pasuria jonë e luajtëshme dhe e paluajtëshme. Në vendimin e sekuestrimit të kësaj pasurie thuhet:
Këshilli Ministruer
Nr.306 me 1-III-940
Vendim
Këshilli Ministruer në mbledhjen e Tij të sotshme të mbajtur nën Kryesinë e z. Shefqet Vërlaci, Kryeministër e Zv.Ministër Sekretar Shteti për P. Botore, me antar ZZ Tefik Mborja, Ministër Sekretar i Partisë Fashiste Shqiptare, Xhafer Ypi, Ministër Sekretar Shteti për Drejtësin, Maliq Bushati, Ministër Sekretar Shteti për M. Mbrendshme, Fejzi Alizoti, Ministër Sekretar Shteti për Financat, Ernest Koliqi, Ministër Sekretar Shteti për Arsimin, Anton Beça, Ministër Sekretar Sheti për Ekonominë Kombëtare, në bazë të nenit 9 të Dekretit Mëkambësuer datë 2 qershor 1939-XVII, shpallun në Fletroren Zyrtare Nr.39 data 9 Qershuer 1939-XVII.
Vendosi
Konfiskimin e pasunivet të lujtëshme dhe të pa-lujtëshm, të sekuestrueme me Dekret të ndryeshëm të Ministrit Sekretar Shteti për Drejtësinë, në bazë të nenit 2 të Dekretit sipërthanun, personave të treguem në listën e bashkëngjitun këtij vendimi, me përjashtim të shtëpis qi zotnon në lagjen “Abdullah Bej” të Tiranës, Abdurrahman Dibra, e cila i asht falë për banim familjarë familjes së të ndjerëve Et-hem, Ismet dhe Tahsim Toto, familje e cila përbahet prej të vejave, fëmijve të mitun, atit dhe vëllait student. Asht nji me origjinalin.
Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministravet
(Yzedin Beshiri)
(AQSH. F. 249 v 1940 D.III 263 f.120).
Ndërsa shtëpinë tonë ia dhanë familjes së vëllezërve Ismet e Et’hem Toto, ne na lanë të banonim në bodrumin e saj, ndërsa në katin e tretë sollën familjen e një mjeku italian. Ne do të na kishin hequr fare nga shtëpia, por na lanë të banonim në bodrumin e saj vetëm në sajë të ndërhyrjes së Xhaferr Ypit. Kurse në pasurinë e paluajtshme që na u sekuestrua bënin pjesë 60 dynym tokë pjesa më e madhe e së cilës ishte në aeroportin e Laprakës. Një pjesë të madhe të parave që u mblodhën nga shitja e tokave tona, iu dhurua Kryqit të Kuq Shqiptar. Pas një qëndrimi prej katër vitesh në internim në Itali, ku babai Abdurrahmani ishte së bashku me miqtë e ngushtë; Hiqmet Delvinën e Suat Asllanin, ai u kthye në Shqipëri në shtatorin e vitit 1943, kur kapitulloi Italia. Me ardhjen e tij në Tiranë gjatë periudhës së pushtimit gjerman, babai kërkoi dhe rimori një pjesë të madhe të pronave që na kishin sekuestruar italianët me pa të drejtë. Deri në mbarimin e Luftës im at qëndroi në shtëpi dhe nuk u përzie fare me politikë. Edhe pas mbarimit të Luftës në fundin e vitit 1944, ndonëse Abdurrahmani kishte shërbyer për gati 19-vjet si deputet dhe Ministër i Monarkisë së Zogut, komunistët që erdhën në pushtet nuk e trazuan atë. Por peripecitë e mëdha për familjen tonë filluan në pranverën e vitit 1946, kur komunistët arrestuan vëllanë e madh, Qenanin, i cili kishte mbaruar studimet e larta dhe ishte diplomuar për Jurisprudencë në Paris dhe në Akademinë Ushtarake të Romës. Vëllai Qenani u akuzua si kryetar i një grupimi Monarkist i cili ishte bashkuar me dy grupime të tjera: Social-demokrat dhe të Rezistencës të kryesuara nga Musine Kokalari dhe Sami Qeribashi”, kujton Urhan Dibra për vëllanë e tij.
Cila ishte e kaluara e Qenan Dibrës? Lidhur me këtë, i vëllai i tij Urhani, dëshmon: “Qenani ishte vëllai ynë i madh, ai kishte lindur në vitin 1912-të në Stamboll. Qenanin ne e kishim vëlla nga babai dhe nëna e tij që ishte gruaja e parë e babait Abdurrahmanit,e cila kishte vdekur në Stamboll. Nëna jonë Naile Kulla, e konsideronte Qenanin si djalin e saj dhe nuk e ndante nga ne shtatë fëmijët e tjerë: Adnani, Irfani, Emineja, Melihaja, Ferihaja, Sabihaja dhe unë. Gjatë viteve të Monarkisë së Zogut, Qenani u diplomua në Liceun Francez të qytetit të Korçës. Pas diplomimit në Lice në vitin 1934, ai fitoi një të drejtë studimi dhe shkoi në Francë ku u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit në Parisit. Pas diplomimit në vitin 1938, Qenani u kthye në Shqipëri dhe deri në prillin e vitit 1939, kur u krye agresioni fashist ndaj vëndit tonë, ai punoi në Ministrinë e Punëve të Jashtëme në Tiranë. Pas internimit të babait në Itali, Qenani shkoi në Romë ku ndoqi studimet dhe u diplomua në Akademinë Ushtarake të atij qyteti. Në vitin 1942, ai u kthye në Tiranë dhe hapi një zyrë avokatore tek “Rruga Mbretnore”, ku mbante si asistent Reis Hashon nga Gjirokastra. Nga fillimi i vitit 1943, vëllai ynë Qenani u fejua me një vajzë nga qyteti i Elbasanit, e cila quhej Muhazez Skikuli. (Narazani). Gjatë periudhës së Luftës, Qenani nuk u përzie me politikë, nga që nuk donte t’ia prishte babait Abdurrahamanit, i cili i thoshte shpesh që të mos ngatërrohej në atë punë. Në vjeshtën e vitit 1944, pak kohë para mbarimit të Luftës, Qenani donte të largohej nga Shqipëria edhe pse nuk ishte përzier me politikë. Por ai nuk iku pasi e ndaloi babai, duke i thënë se ata të dy e ndjenin veten krejt të pastër dhe se komunistët nuk kishin asnjë arsye që t’i trazonin”, kujton Urhan Dibra.
Qenani, kryetar i “Grupit Monarkist”
Ndonëse Qenani gjatë periudhës së pushtimit fashist të vëndit kishte punuar si avokat dhe nuk ishte përzier me politikë, ai ishte i formuar me një kulturë perendimore dhe ishte një antikomunist me bindje të thella. Qenan Dibra nuk pajtohej edhe me politikën e terrorit që filloi të ndiqte regjimi komunist i Enver Hoxhës, e cila kishte filluar që nga periudha e Luftës, me krijimin e Partisë Komuniste Shqiptare. Në atë kohë Qenan Dibra u lidh dhe bashkëpunoi ngushtë me një grup intelektualësh tiranas, të cilët ishin diplomuar në Perëndim dhe kishin bindje antikomuniste. Ky grupim antikomunist, u quajt “Grupi i Monarkistëve” dhe si kryetar të tij zgjodhi Qenanin. Synimi kryesor i atij grupimi antikomunist, ishte që të krijonin një opozitë të vërtetë kundër Qeverisë Komuniste të Tiranës dhe për këtë ata kishin hartuar një program të qartë për të gjithë aktivitetin që do të kryenin. “Grupimi Monarkist”, u bashkua me dy grupimet e tjera antikomuniste, si ai “Social-Demokrat” i kryesuar prej Musine Kokalarit dhe atë të “Rezistencës” të kryesuar prej Sami Qeribashit. Mbledhja për bashkimin e këtyre tre grupimeve u zhvillua në shtëpinë e Ali Kavajës në Tiranë dhe aty përfaqësuesit e të tre këtyre grupeve, ranë dakort dhe formuan grupimin e vetëm i cili u quajt “Bashkimi Demokrat” dhe kryetar i tij u zgjodh Sami Qeribashi. Ndër pikat më kryesore që ata do t’i kërkonin Qeverisë së Enver Hoxhës, ishte respektimi i të drejtave dhe lirive të individit, t’u sigurohej të gjithë shtetasve liria e fjalës, ndërgjegjies, shtypit, fesë, tregëtisë së lirë private dhe krijimin e shoqërive e mbledhjeve të lira. Po kështu një nga kërkesat kryesore të “Bashkimit-Demokrat” ishte dhe shtyrja e zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945, deri sa Qeveria e Enver Hoxhës të legalizonte opozitën e vërtetë demokratike. Ndër veprimet kryesore që do të bënte “Bashkimi-Demokrat”, për realizimin e atyre kërkesave, ishte takimi me përfaqësitë e huaja anglo-amerikane dhe francze, që ishin në Tiranë, të cilëve do t’u kërkohej që të bënin presion pranë Qeverisë së Enver Hoxhës që të zbatoheshin ato kërkesa dhe të lejohej legalizimi i opozitës së vërtetë demokratike. Ato kërkesa u konkretizuan në një notë proteste të firmosur nga 75 antarë të “Bashkimit-Demokrat” (nga 25 për çdo grup) dhe një nga pikat e asaj note ishte që Qeveria e Enver Hoxhës të merrte nën mbrojtje pjestarët e opozitës që do të dilte gjatë fushatës së zgjedhje të 2 dhjetorit 1945. Në atë kohë të gjithë pjestarët e “Bashkimit-Demokrat” i ngrohu disi edhe fakti se pak a shumë ato kërkesa që kishin hartuar ata, ishin kërkuar edhe prej Gjergj Kokoshit, i cili ishte në kryesinë e “Frontit Demokratik” të kryesuar prej Enver Hoxhës. Për të marrë takim me kolonelin britanik Palemer, që kryesonte misionin anglez në Tiranë, “Bashkimi-Demokrat” udhëzoi Qenan Dibrën, Shaban Ballën dhe Reis Hashon, të cilët ia paraqitën atij të gjitha kërkesat e hartuara. Ato kërkesa misioni anglo-amerikan i kryesuar nga koloneli Hodgson dhe Harry Fultz, ia paraqiti Enver Hoxhës në takimin që zhvilluan me të, por Enveri jo vetëm që nuk i mori ato parasysh, por i quajti ndërhyrje në punët e brendshme. Duke parë qëndrimin e Enver Hoxhës i cili nuk mori parasysh asnjë nga kërkesat që iu parashtruan nga ana e misionit anglo-amerikan, grupimi “Bashkimi-Demokrat nuk doli në opozitë të hapur, por punoi në ilegalitet dhe ditën e zgjedhjeve në 2 dhjetor 1945, shpërndau një trakt në të cilin kërkohej sabotimi dhe bojkotimi i zgjedhjeve, duke i quajtur ato antidemokratike.
Dënimi i Qenanit me vdekje
Si rezultat i asaj veprimtarie të kryer si para zgjedhjeve në ditët e fushatës elektorale ashtu dhe pas saj, grupimi “Bashkimi-Demokrat” ra në sy të Sigurimit të Shtetit, pa kaluar një muaj e disa ditë nga zhvillimi i zgjedhjeve të 2 dhjetorit, në 10 janar të vitit 1946, përgatitej të mbahej mbledhja e Asamblesë Kushtetuese që do shpallte Republikën Popullore të Shqipërisë, filloi arrestimet ndaj të gjithë antarëve të asaj organizate në Tiranë dhe në rrethe të tjera. Pas disa muajsh, më 17 qershor të vitit 1946, ata u nxorrën para Gjyqit Ushtarak, i cili i zhvilloi seancat në Kinemanë “Nacional” (ish-kinema “17 Nëntori”), nën kryesinë e major Frederik Nosit, Kryetar Gjyqi dhe dy antarëve: Kapiten i Parë, Nexhat Hyseni e Veledin Zeneli. Prokuror i atij gjyqi ishte Kapiten i Parë, Nevzat Haznedari. Grupi i të akuzuarëve si antarë të “Bashkimit-Demokrat” që do të gjykoheshin në atë gjyq dhe ishin si të pandehur aty, përbëhej nga: Gjergj Kokoshi, Sami Qeribashi, Suat Asllani, Ali Kavaja, Shaban Balla, Reis Hasho, Profesor Çoka, Xhahit Koka, Enver Hasa, Hivzi Golja, Qemal Biçaku, Llazar Papapostoli, Mehmet Ali Beshiri, Semiras Vërlaci, Mahmut Mëniku, Anton Dukagjini, Musine Kokalari, Haki Gjinishi, Kolë Rodhe, Lluka Bibi, Myrteza Beli, Haki Karahoxhaj, Talat Drini, Niko Beça, Vahit Vërdova, Pali Ternova, Nefail Skikupi, Musa Dizdari, Hasan Kalaja, Taqi Ruso, Xhevat Miluka, Stefan Bumçi, Nesti Orollogaj dhe Pjerin Shala. Gjatë zhvillimit të senacave të gjyqit në sallën e madhe e cila ishte mbushur me njerëz të Sigurimit të Shtetit, vazhdimisht dëgjoheshin britma histerike: “Në litar, në litar”. Gjyqi ndaj këtyre të akuzuarëve vazhdoi deri më datën 2 korrik, ditë në të cilën Kryetari i Gjyqit, Frederik Nosi dha dhe vendimin për dënimin e tyre. Nga të 37 të pandehurit që u gjykuan aty, u dhanë dënimet me vdekje për nëntë prej tyre, të cilët ishin: Sami Qeribashi, Qenan Dibra, Shaban Balla, Xhahit Koka, Hivzi Golja, Ali Kavaja, Mehmet Ali Beshiri, Talat Ndrini dhe Mahmut Mëniku. Ndërsa të tjerët u dënuan me dënime të ndryshme, të cilat varionin nga 20 deri 30 vjet dhe burgime të përjetëshme. Ekzekutimet e nëntë pjestarëve kryesorë të grupimit “Bashkimi-Demokrat” i cili përbënte dhe opozitën e parë demokratike të organizuar që nga ardhja e regjimit komunist në Shqipëri, u bënë në Bregun e Lumit dhe trupat e të pushkatuarëve u hodhën nëpër gropa të cekta me qëllim që t’i merrte lumi dhe të humbnin pa asnjë gjurmë.
Abdurrahmani dënohet 10 vjet
Ç’ndodhi më pas me familjen e Qenan Dibrës pas ekzekutimit të tij? Lidhur me këtë, i vëllai, Urhani dëshmon: “Pas pushkatimit të vëllait Qenanit, ne na nxorrën nga shtëpia tek Rruga e Saraçëve dhe ato i kthyen në zyra të një komande ushtarake. Pasi na nxorrën përdhunisht nga shtëpia, ne na lanë rrugëve, duke na thënë që të shkonim ku të donim. Pas daljes nga shtëpia, ne u detyruam dhe në fillim shkuam e u strehuam tek halla jonë, e cila banonte jo shumë larg nesh. Por kur komunistët e morën vesh që ne ishim futur aty, ata erdhën dhe na sekuestruan të gjitha plaçkat e na nxorrën me detyrim në mes të katër rrugëve. Në fillim të vitit 1947, ne na dëbuan nga Tirana dhe bashkë me shumë familje të tjera të goditura nga regjimi komunist, në qytetin e Durrësit. Në Durrës ne na strehoi në shtëpinë e tij miku i ngushtë i babait, Mahmut Haznedari, i cili iu gjet babait më shumë se një vëlla. Babai i tha Mahmutit se nuk donte ta rëndonte, pasi ai i kishte fëmijët partizanë dhe komunistë, e ardhja jonë aty do t’ju prishte punë. Por Mahmut Haznedari i tha babait se aty ishte ai zot shtëpie. Unë me babanë, nënën, vëllezërit dhe motrat, jetuam për katër vjet në shtëpinë e Mahmut Haznedarit dhe të gjithë fëmijët e tij megjithse ishin komunistë, na trajtonin me respektin më të madh edhe pse ne quheshim familje reaksionare. Në vitin 1951, ne na hoqën nga Durrësi dhe na dërguan në Elbasan ku qëndruam për tre muaj. Gjatë asaj kohe u arrestua dhe babai ynë, Abdurrahmani, dhe arsyeja kryesore e arrestimit të tij, ishte xhelozia dhe frika që kishin komunistët nga respekti i madh që i bëhej Abdurrahmanit nga qytetarët durrsakë, të cilët i hiqnin kapelen sa herë shkëmbeheshin me të në rrugë. Pas arrestimit, babanë e mbajtën gjashtë muaj në hetuesi dhe pastaj e nxorrën në gjyq, duke e akuzuar se ai paraqiste rrezikshmëri të lartë shoqërore. Kjo ishte dhe arsyeja e vërtetë e arrestimit të babait, ndërsa në akuzë i shënua “agjitacion e propagandë”. Gjyqi e dënoi babanë me dhjetë vjet burg, nga të cilat ai vuajti tetë vjet e gjysëm, në burgun e Burrelit dhe në atë të Tiranës, ku e çuan vitet e fundit për të bërë historikun e Parlamentit Shqiptar. Babai nuk e vuajti të gjithë dënimin, për arsye se e kapi amnistia që i falte të gjithë ata të dënuar që ishin mbi shtatëdhjetë vjeç. Pasi doli nga burgu, babai qëndroi në Tiranë bashkë me ne pjestarët e tjerë të familjes që banonim në një barake të vjetër e cila ishte me dysheme e mure prej dheu e balte. Që ditët e para që babai doli nga burgu dhe erdhi aty në atë barakë, atij i vinin për ta takuar me dhjetra miq e shokë, sa që ai nuk kishte mundësi t’i priste të gjithë. Babai vdiq nga një hemoragji cerebrale në shkurtin e vitit 1961 dhe në varrimin e tij nuk ishim më shumë se gjashtë-shtatë vetë të familjes”, e përfundon rrëfimin e tij Urhan Dibra./Memorie.al